Atletiko e Madridit fiton Ligën e Europës duke mundur 3-0 në finale, Olimpikun e Marsejës. Trajneri Simeone hyn në histori, ndërsa shqetësimi i vetëm është largimi i mundshëm i sulmuesit kryesor, Griezman.
Spektakli nuk vonoi shumë t’ia linte vendin futbollit. Nga muzika e vallja, në stadiumin e Lionit u kalua tek ajo për të cilën ishin mbledhur dhjetëra mijë njerëz, finalja e Ligës së Europës.
Ish-ylli i Francës, Abidal, prezantoi kupën, ndërsa dy finalistët, Atletiko e Madridit dhe Olimpiku i Marsejës, nuk vonuan të dilnin në fushë. Parashikimet ishin të gjitha për spanjollët e trajnerit të dënuar, Diego Pablo Simeone, të cilët nuk zhgënjyen edhe pse nuk e patën aspak të lehtë.
Përballë talentit, entuziazmit dhe lojës sulmuese të marsejezëve të trajnerit Rudi Garsia, u vunë përvoja, klasi dhe karakteri i fortë i Atletikos. Suksesi u bë më i sigurt nga prania në fushë e një lojtari, sulmuesit kryesor të madrilenëve, Antoine Griezmann.
Ishte francezi që shkëlqeu në qytetin ku u rrit dhe në stadiumin, ku kishte vënë këmbë që i vogël. Ai shënoi dy gola, madje dy të parët, dhe ndryshoi rrjedhën e ndeshjes, të cilën francezët e kishin nisur më mirë.
Simeone e ndoqi ndeshjen në një kabinë të izoluar në tribunë, duke qenë i paduruar si gjithnjë. Trajneri argjentinas, me këtë trofe, u barazua me legjendën tjetër Luis Aragones, si tekniku më i suksesshëm i Atletikos, të dy me nga 6 kupa të fituara.
Diego Simeone: “Natyrisht që jam i kënaqur. Një sukses i arritur pas një pune shumë të mirë vit pas viti, dhe ishte një fitore e merituar. E kam thënë gjithnjë, që mënyra më e mirë për të fituar, është duke e provuar gjithnjë e duke punuar fort. Humbëm dy finale Championsi, vjet humbëm gjysmëfinalen e Championsit, por këtë herë patëm një tjetër mundësi për të fituar. Nuk ishte e lehët pasi Marseja e nisi ndeshjen më mirë, por e morëm veten dhe luajtëm një pjesë të dytë shumë të fortë”.
Problemi i madh për Simeonen tani është e ardhmja e Grizemann-it. Besohet se sezonin tjetër sulmuesi do të veshë fanelën e Barcelonës, që është gati të paguajë klauzolën prej 100 milionë eurosh në kontratën e tij. Vetë Griezmann foli vetëm për ndeshjen, në përfundim të saj.
Antoine Grizman: “Ishte kënaqësi të fitoja një trofe këtu, në shtëpinë time. Kam qenë në këtë stadium si tifoz, ndërsa më pas kam luajtur dhe kam fituar për 14 vjet në Spanjë. Më vjen mirë që fituam me golat e mi, por nuk ishte e lehtë, pasi Marseja është një ekip shumë sulmues dhe na detyroi të mbroheshim fort. Për fat, kemi përvojë në finale dhe ruajtëm gjakftohtësinë”.
Grizman u largua nga gazetari pa e lejuar ta pyesë për të ardhmen, por kësaj pyetjeje nuk iu shmang dot Simeone.
Diego Simeone: “Griezmann tregoi atë që ka treguar gjatë gjithë kohës, që është një nga sulmuesit më të mirë të botës. Nuk është hera e parë që e bën. Shpresoj të jetë i kënaqur dhe i lumtur, dhe shpresoj që të qendrojë me ne. Ka mjaft arsye për ta bërë këtë. Gjithsesi, nëse do të rrijë apo jo, kjo është pyetje për të, jo për mua”.
Atletiko mbylli kështu një sezon të vështirë, ku u eleminua nga Championsi dhe nga Kupa e Mbretit, por ku u shpall nënkampione e Spanjës si dhe fitoi një nga dy trofetë e rëndësishëm kontinentalë.
Kjo ishte Liga e tretë e Europës për klubin spanjoll, që u barazua me gjigandët Liverpul, Juventus e Inter, duke mbetur vetëm prapa Seviljes që ka 5 kupa të tilla.
Edicioni mbyllet këtu, ndërsa pritet me ambicie viti i ardhshëm sportiv. Pavarësisht optimizmit, besohet se Griezmann ka luajtur ndeshjen e tij të fundit për Atletikon./abcnews.al