Atletiko dominon Juventusin në Champions

schedule14:05 - 21 Shkurt, 2019

schedule 14:05 - 21 Shkurt, 2019

Atletiko i afrohet shumë kualifikimit për në çerekfinale të Championsit, por Juventusi nuk dorëzohet. Italianët kanë besim edhe pas humbjes në Madrid.

Pritej një barazpeshë, por kjo nuk u duk. Jo sepse Atletico e dominoi Juventusin në Madrid, por sepse e mundi, madje e bëri pastër. Me vetëm 37 për qind të mbajtjes së topit, të besuarit e trajnerit “të çmendur” Diego Pablo Simeone, ia dolën në duelin e parë të Championsit, duke kapërcyer edhe vendimet e VAR-it, që i patën kundër.

Diego Kostës iu dha një penallti nga arbitri, por iu hoq nga teknologjia, ndërsa Alvaro Morata shënoi dhe goli sërish u anulua, por madrilenët nuk u dorëzuan. Hoze Himenez në 78’ dhe Diego Godin në 83’ ishin autorët e golave të një fitoreje të rëndësishme, edhe pse ende jo kualifikuese.

Italianët luajtën mirë në pjesën e parë, duke e qarkulluar shumë më tepër topin e duke rrezikuar më shumë portën vendase, veçse nuk mundën të shënonin. Pas pushimit, gjithçka ndryshoi dhe Atletiko u tregua më e vendosur, me një mbrojtje të fortë dhe saktësi në goditjet standarde. Kampionët e Italisë duhet të bëjnë një mrekulli në ndeshjen e dytë në Torino, për t’u kualifikuar për në çerekfinale

“Është një rezultat shumë i mirë, por nuk mendoj se ka përfunduar gjithçka, – theksoi trajneri i saj, Simeone, – besoj se do të vuajmë në Torino, nuk shoh mënyrë tjetër për t’ia dalë. Jam i lumtur për djemtë e mi, që janë një skuadër e vërtetë”.

“Nuk mund të luanim më keq se kaq, por mbetem me besim se mund t’ia dalim, – ishin fjalët e trajnerit juventin, Alegri, – pas një pjese te parë të mirë, ishim keq në të dytën. Pësuam dy gola në goditje standarde, që janë pika e fortë e Atletikos. Duhet të luajmë shumë më mirë në kthim”.

Në Spanjë pati lavde për Atletikon, ndërsa në Itali kritika për Juven.

“Marka”: Çfarë krenarie! Një Atletiko superiore kullufit Juven! Paraqet kandidaturën për Championsin me një ndeshje të paharrueshme!

“AS”: Atleti! Atletiko më e mirë e vitit vë me shpatulla pas murit, Kristianon!

“La Gazeta delo Sport”: Juventus, ringrihu! Natë makthi me Atletikon, 0-2! Alegri: Kam besim, më keq se kaq nuk mund të shkonte!

“Il Korriere delo Sport” bën lojë fjalësh me nofkën e trajnerit të Atletikos, Simeone, duke titulluar: Çolaso! Në spanjisht Çolo do të thotë i çmendur! Simeone rrëzon Juven, tani është shumë e vështirë!

E rëndë ishte humbja sidomos për ambiciozin Kristiano Ronaldo, që nuk mundi të largohej nga stadiumi pa bërë shenja dhe pa thënë se “unë kam fituar 5 Champions, ndërsa Atletiko asnjë”.

Tifozët spanjollë iu përgjigjën duke thënë se skuadra e tyre do ta largojë portugezin dhe Juventusin e tij nga Championsi, me një manita, pra me pesë gola./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!