Athinë, nisin procedurat për votimin e Marrëveshjes së Prespës

schedule21:35 - 21 Janar, 2019

schedule 21:35 - 21 Janar, 2019

Në parlamentin grek kanë filluar procedurat për miratimin e marrëveshjes së Prespës. Fillimisht marrëveshja do të diskutohet në komisionin parlamentar të politikës së jashtme. Seanca që filloi vonë pasditen e të hënës është karakterizuar nga debate të ashpra. Deputetë të opozitës kanë kundërshtuar pjesëmarrjen në komision të disa deputetëve të pavarur, të cilët kanë paralajmëruar se do të votojnë në favor të marrëveshjes Athinë – Shkup. Nga opozita janë hedhur dyshime mbi legjitimitetin e notës verbale të mbërritur nga Shkupi, në adresë të ministrisë së jashtme greke. Deputetët opozitarë thonë se nota nuk përmban nënshkrimin e kreut të shtetit maqedonas, Gjorgje Ivanov. Marrëveshja e Prespës do të diskutohet për dy ditë në komisionin parlamentar. Pastaj do të përcillet të mërkurën, në një seancë plenare. Edhe aty, debati parlamentar do të zgjasë dy ditë ndërsa votimi është planifikuar për mbrëmjen e të enjtes./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!