Atentati në Tiranë, Lleshaj bën pas: Policia nuk ka dështuar

schedule10:01 - 16 Shtator, 2020

schedule 10:01 - 16 Shtator, 2020

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj është pyetur nga gazetari i ABC News Aldo Kozarja lidhur me ngjarjet kriminale të ndodhura përgjatë ditëve të fundit, referuar deklaratës së bërë prej tij një natë më parë se policia ka dështuar.

Lleshaj tha se deklarata e tij është nxjerrë nga konteksti duke shtuar se policia nuk ka dështuar, ndërsa theksoi se ngjarje të tilla do ndodhin, sepse përndryshe nuk do kishim polici.

“Jo s’kam thënë që ka dështuar policia. Mundohuni të kuptoni drejt. Policia jo vetëm që s’ka dështuar por po kryen detyrën me profesionalizëm dhe sukses në gjithë vendin. Sigurisht kjo nuk do të thotë që ngjarje nuk mund të ndodhin se ndryshe nuk do kishim as polici”, tha Lleshaj.

Pyetur për deklaratat për largimin apo qëndrimin e tij, ai tha se kanë qenë përgjigje të pyetjeve dhe se nuk dorëhiqet por ecën përpara.

“Nuk ka qenë asnjë deklaratë e kundërt. Kam dhënë përgjigje për pyetje të tilla. S’kam dhënë dorëheqjen, jam në detyrë. Nuk dorëhiqem, eci përpara, sepse kam një mision për të kryer, kam një përgjegjësi”, u shpreh ministri./m.v. abcnews.al