Atentati në Tiranë, identifikohen viktima dhe të plagosurit

schedule17:24 - 4 Janar, 2022

schedule 17:24 - 4 Janar, 2022

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e kësaj të  marte në Tiranë në zonën e Don Boskos, në një lokal, ku humbi jetën një person dhe janë plagosur 4 të tjerë.

Burime për abcnews.al bëjnë me dije se nga të shtënat me armë nga një makinë në lëvizje në drejtim të lokalit ka humbur jetën Erion Çela, 35 vjeç, dhe janë plagosur Blerim Çela 28 vjeç i dëmtuar në këmbën e djathtë dhe fytyrë, vëllai i viktimës, Arben Dani 46 vjeç i dëmtuar në këmbë, Azbi Selimaj 19 vjeç i dëmtuar në shpatull dhe Edmond Crroj 41 vjeç i plagosur në bark dhe këmbë.

Sipas policisë autorët pasi kanë qëlluar në drejtim të tavolinës me 5 persona janë larguar me një automjet tip “Mercedes-Benz”.

LEXO EDHE: Atentati me një viktimë në Tiranë, si është gjendja e 4 të plagosurve

“Më datë 04.01.2022, rreth orës 16:15, në “Don Bosko”, në ambientet e një lokali dyshohet se është qëlluar me armë zjarri nga jashtë, në drejtim të një tavoline ku ishin ulur pesë shtetas.

Si pasojë e të shtënave, shtetasi E. Ç., 35 vjeç ka humbur jetën,  dhe janë plagosur shtetasit A. D., 46 vjeç, A. S., 19 vjeç, B. Ç., 28 vjeç dhe E. C., 41 vjeç.

Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha pikat hyrëse-dalëse të Tiranës dhe në brendësi të lagjeve ku dyshohet se janë larguar personat, të cilët pasi kanë qëlluar me armë zjarri, janë larguar me një automjet tip “Mercedes-Benz”.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!