Një atentat mafioz ka ndodhur mesditën e kësaj të martë në aeroportin e Rinasit. Drejt një automjeti u qëllua me breshëri plumbash.
Për pasojë humbi jetën Gilmando Dani dhe një person u plagos.
Viktima Gilmando Dani, njihet edhe si krahu i djathtë i Emiliano Shullazit.
Kush është Gilmando Dani?
33-vjeçari Gilmando Dani, është konsideruar gjithnjë si person i rrezikshëm për shkak të ekspozimit të tij të shpeshtë në episode të përbashkëta me Emiljano Shullazin.
Dani është kontrolluar shpesh për vepra penale, konkretisht në gusht të 2009 pas vrasjes së 4 efektivëve të policisë në Durrës nga Dritan Dajti.
Në gusht 2009, në kuadër të hetimit për masakrën në Durrës, Prokuroria e Krimeve të Rënda i bllokoi pasaportën për disa ditë Gilmando Danit. Po kështu, më 23 prill 2011, Gilmando Dani u shoqërua në Policinë e Tiranës.
Dani u ka shpëtuar më parë edhe dy atentateve, në vitet 2011 dhe 2015. Ai ka qenë i dënuar edhe për gjobvënie dhe u lirua në tetor të 2024 pasi kreu 3/4 e dënimit.
Ndërkaq, autorët dyshohet të atentatit të sotëm, janë larguar në drejtim të Fushë Krujës dhe kanë qenë me një mjet Toyota.


