Policia akoma nuk ka gjetur autorët e atentatit mbrëmë në Lezhë, por dyshohet se ai ka ndodhur për hasmëri. Më parë shënjestrës i janë vrarë dy vëllezër si dhe ka qenë i dënuar për trafik lëndësh narkotike.
Autorët e atentatit ndaj Arben Gjinit janë zhdukur dhe policia nuk ka gjetur asnjë gjurmë të tyre. Pasi qëlluan me breshëri gjatë lëvizjes Arben Gjinin, i cili mbeti i plagosur rëndë, makinën e dogjën në fshatin Kolsh.
Megjithë kërkimet policia nuk ka mundur t’i kapë ata. Paraprakisht dyshohet se ngjarja ka lidhje me të kaluarën e 35 vjeçarit nga Mirdita Arben Gjinit. Më parë ai ka qenë i dënuar me 5 vite burg nga gjykata e Apelit e Italisë për trafik të lëndëve narkotike dhe dënimin e ka vuajtur në burgun e Shënkollit në Lezhë.
Një vit më parë ishte liruar dhe qarkullonte pa probleme. Gjithashtu Gjinit më herët i janë vrarë për hasmëri dy vëllezërit e tij. Janë këto dy pista në të cilat po orientohet grupi hetimor. Mësohet se 35 vjeçari kur ka qenë në Belgjikë ka plagosur njërin nga hasmit e vet, megjithatë kjo nuk u vërtetua ligjërisht.
Atentati ndaj tij ndodhi mbrëmjen e së hënës në Ishull Lezhë, ku Arben Gjini u qëllua me armë zjarri nga një makinë tjetër, ndërsa ishte duke pirë kafe në atë zonë.
Pak minuta më vonë në Kolsh të Lezhës u gjet i djegur mjeti tip Benz, i denoncuar i vjedhur, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët e plagosjes. /abcnews.al