Nga Xhensila Kodra
Konfliktet e vjetra që kanë pasur në qelitë e burgut dy nga autorët e dyshuar të atentatit ndaj Taulant Pepajt, me këtë të fundit, u bë shkak i ngjarjes së ndodhur mesditën e së dielës në Shkodër.
ABC mëson se mes dy personave të shpallur në kërkim, Eljon Hato dhe Shkëlzen Xhenje, si dhe objektivi Pepaj, për gati dy vite me radhë konfliktoheshin në burgun e Shën Kollit për motive banale. Secili prej tyre, kërkonte të krijonte territorin e vet brenda 4 mureve.
Bashkë me Haton e Xhenjajn, në kërkim policia ka shpallur edhe vëllain e këtij të fundit, Sehar Xhenje, i cili në deklaratat e tij në media mohon të ketë lidhjen me ngjarjen, me argumentin se ndodhet jashtë territorit shqiptar.
Identifikimi i 3 të rinjve u bë nga kamerat e sigurisë së një karburanti pranë vendit ku ndodhi ngjarja. Ato kanë fiksuar momentet kur Eljon Hato e Shkëlzen Xhenje dalin nga makina e qëllojnë drejt objektivit të tyre.
Burime nga grupi hetimor sqaruan për ABC se Taulant Pepaj u qëllua me dy pistoleta të ndryshme, por fatmirësisht mundi t’i shpëtonte plumbave të derdhur drejt makinës që ai udhëtonte bashkë me një mikun e tij.
Hetimet e policisë së Shkodrës kanë zbuluar se autorët kanë përdorur dy mjete të ndryshme, një tip Benz targat e të cilave ishin të falsifikuara, si dhe një tjetër tip Xhaguari, me targa të huaja e të falsifikuara.
Eljon Hato është një person i njohur për policinë, i përfshirë në disa ngjarje kriminale. Më e fundit ajo në zonën e bllokut në kryeqytet, ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha.
Këto janë pamjet kur policia arreston Eljon Haton në 4 maj të 2015, pasi akuzohej për një vrasje dhe plagosjen e një tjetër personi në vitin 2014-të. Ndërsa Taulant Pepaj është arrestuar në 2017 për plagosje të rëndë me dashje. /abcnews.al