Atentati ndaj prokurorit Ndoj, analiza e ADN-së fundos Redjan Rrajën

schedule14:07 - 11 Dhjetor, 2019

schedule 14:07 - 11 Dhjetor, 2019

Provat e reja të mbledhura nga grupi hetimor për atentatin ndaj prokurorit, Arjan Ndoja më 1 nëntor në Shkozet, provojnë se Redjan Rraja është një nga autorët e krimit. Gazetarja Glidona Daci raporton për abcnews.al se ADN-ja e përftuar në kampionet e marra në tri sende në makinë eshtë e përputhshme më atë të Rrajës.

“Redjan Rrajës i është kërkuar analiza e ADN-së dhe tashmë ka dalë përgjigja nga laboratori i Kriminalistikës. Hetuesit kanë marrë material biologjik në tre sende të makinës së autorëve që u gjet e braktistur në Shkafanë. Ato përputhen plotësisht me ADN-në e Redjan Rrajës. Kjo e lidh drejpërdrejt Rrajën me atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoj. Avokati i tij ka bërë disa memo kundrejt prokurorisë ku kërkon ti vihet në dispozicion materiali hetimor por prokuroria ka thënë se janë çështje sekrete.Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dyshime jo vetëm për praninë e Rrajës në makinën e auorëve të krimit, por dyshimet më të forta janë se ai e ka drejtuar këtë atentat“, tha gazetarja në lidhje direkte për Abc News.

Prova e parë ishin gjurmët e gishtërinjve në syzet e gjetura në makinë, por  Rraja e mohoi duke thënë se syzet janë të lëvizshme. Tashmë prova e ADN-së e përfshin direkt në këtë atentat.

Prokurorët Anton Martini dhe Besim Hajdarmataj kanë udhëhequr deri më tani hetimet për atentatin ndaj kolegut të tyre Arjan Ndoj, por nuk do ti vazhdojnë më tej. Dosja hetimore do të kalojë në duart e prokurorit Behar Dibra, i cili është pjesë e SPAK-ut që nis punë më 19 Dhjetor.

Redjan Rraja, u arrestua pak ditë pas ngjarjes, si i dyshuar për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoji, shoferit të tij, Andi Maloku, që ndërroi jetë dhe Aleksandër Lahos  i njohur edhe si “Rrumi” i Shijakut.

Ndaj Rrajës rëndojnë akuzat:“vrasje e funksionarëve publikë”, “vrasje e mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”.

/abcnews.al