Të paktën 10 persona, përfshirë anëtarë të fisit Lekstakaj, janë shoqëruar dhe marrë në pyetje nga policia për vrasjen e 40 vjeçarit Eno Nikulaj mbrëmjen e së shtunës në hyrje të Lezhës. Eno Nikulaj ishte djali i xhaxhait të Ardian Nikulajt, biznesmenit të vrarë në prill në Shëngjin.
Gazetari Gjergj Figuri raporton se në vendin e ngjarjes janë gjetur 25 gëzhoja. Nikulaj ka qenë duke udhëtuar në drejtim të hyrjes së Lezhës kur është qëlluar fillimisht pas shpine dhe më pas mjeti BMW, me tre autorët e maskuar, kanë qëlluar me breshëri në pjesën anësore.
Pista kryesore e policisë është gjakmarrja me fisin Lekstakaj por sipas gazetarit, një tjetër pistë që po hetohet është ndonjë konflikt i mundshëm që mund të ketë pasur 40 vjeçari.
“Policia ende nuk ka rënë në gjurmët e autorëve pavarësisht se ka shoqëruar dhe marrë në pyetje 10 persona, nga familja Lekstakaj por edhe persona të tjerë, që sipas policisë, viktima kishte pasur një konflikt. Në vendngjarje janë gjetur 25 gëzhoja të përdorura ndaj 40 vjeçarit. Nga të dhënat, bëhet me dije se 40 vjeçari po vinte nga një lokal në drejtim të Lezhës, është ndjekur nga pas nga BMW deri në hyrje të qytetit, është qëlluar nga pas në shpinë dhe më pas mjeti ka ndaluar dhe në pjesën anësore është qëlluar sërish me breshëri duke i shkaktuar plagë të rënda dhe më pas vdekjen. Policia po kontrollon kamerat e sigurisë për të kuptuar nëse ka pasur persona të tjerë që mund të kenë dhënë informacion sa i përket lëvizjeve të tij pasi automjeti kishte ardhur nga Tirana në drejtim të Lezhës dhe menjëherë është kthyer sërish për të lëvizur në drejtim të Tiranës.“, raportoi gazetari./abcnews.al