Atentati me tritol tek “Vasil Shanto”, zbardhen pistat hetimore

schedule19:53 - 15 Shtator, 2020

schedule 19:53 - 15 Shtator, 2020

ABC News ka zbuluar ekskluzivisht se shënjestra dhe personi që ka mbetur i plagosur në atentatin me tritol mbrëmjen e sotme në Tiranë, është vëllai i Armando (Tonin) Gjinit, ish-ushtari i Met Kananit që u ekzekutua në Rrëshen.

Ndërkohë që nuk konfirmohet për persona të tjerë të lënduar.

Sakaq gazetarja Xhensila Kodra raportoi për Abc News se pista kryesore e hetimit është ajo e hakmarrjes pasi shënjestra e atentatit të sotëm mendohet se ka lidhje me vrasjen e Kastriot Reçit, ngjarje e ndodhur në janar të këtij viti, ende e pazbardhur.

Siç raportohet vëllezërit Gjini janë kundërshtarë të Kastriot Reçit.

Katër vite më parë Reçi u mor në pyetje si i dyshuar se ishte përfshirë në vrasjen e ndodhur në 9 Shtator të 2016, ku u vra ish-drejtori i OSHEE-së në qarkun e veriut, Sajmir Jaku.

Pas marrjes në pyetje, Reçi u la i lirë për mungesë provash.

LEXO edhe: Seriali i vrasjeve, Artan Hoxha: Kush është “shënjestra” e atentatit në Tiranë dhe mesazhi i autorëve

Ekzekutimi i Sajmir Jakut do të pasonte me një zinxhir tjetër vrasjesh brenda e jashtë Shqipërisë, të gjitha pa autorë.

Shtatë muaj më pas, në 28 Prill po të 2017-ës në Romë të Italisë vritet Gasper Reçi, vëllai i Kastriot Reçit.

Sipas policisë Italiane, dy vëllezërit Reçi ishin të skeduar në trafikun e drogës.

Hakmarrja mes grupeve vijoi më tej.

Në 6 Shtator 2017, në Belgjikë vritet Kreshnik Gjini, nipi i Sajmir Jakut.

Ndërsa në 12 Gusht të 2019, po në Rrëshen vritet Tonin Gjini, i njohur edhe me emrat Armando e Antonio Gjini.

Të gjitha këto ngjarje, janë duke u hetuar në një pistë të vetme, hakmarrja.

Seriali i vrasjeve

-9 Shtator 2016 vritet Sajmir Jaku

-28 Prill 2017 vritet Gasper Reçi

-6 Shtator 2017 vritet Kreshnik Gjini (nipi i Sajmir Jakut)

-12 Gusht të 2019 vritet Tonin Gjini

-7 Janar 2020 vritet Kastriot Reçi.

N.D./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!