Atentati me eksploziv në Vlorë, gjendet një makinë e djegur, dyshohet se autori e la në rrugë

schedule15:35 - 21 Dhjetor, 2021

schedule 15:35 - 21 Dhjetor, 2021

Dy ditë pas atentatit me eksploziv në Vlorë ku shënjestër ishte 33-vjeçari Indrit Sadedini policia ka gjetur një makinë të djegur në Darëzezë. Burime bëjnë me dije se blutë e Fierit dhe Vlorës po punojnë për të mësuar nëse makina ka lidhje me atentatin ndaj 33-vjeçarit. Dyshimet janë se automjeti tip “Mazda” i përket autorit që vendosi tritolin dhe u largua pas shpërthimit të tij. Makina rezulton me targa të vjedhura gjë që ka shtyrë edhe më shumë dyshimet e policisë se mund të jetë përdorur pas ngjarjes. Gjithashtu, targat e automjetit rezultojnë të vjedhura në Lushnje.

Kamerat e sigurisë të bizneseve në afërsi të garazhit ku ndodhi shpërthimi kanë pikasur atentatorin i cili 15 minuta para se të ndodhte shpërthimi ka kaluar aty pranë me një kapuç në kokë dhe ka hedhur një pako duke e mbuluar me letër që të mos binte në sy. Atentatori ka qenë në distancë kur e ka shtypur butonin ndërsa bomba ka qenë e lidhur me telefon.

Lexo edhe: Atentati në Vlorë, autori me kapuç, hodhi bombën e lidhur me celular 15 minuta para shpërthimit

Më pas ai është larguar i qetë në këmbë. Mësohet se po i njëjti person është parë disa herë në zonë duke lëvizur me motor dhe i maskuar me kapuç. Në momentin që 33-vjeçari Indrit Sadedini ka dalë nga garazhi sapo ka shkelur pranë lëndës plasëse ajo ka shpërthyer duke i dëmtuar rëndë të dyja këmbët.

ABC mëson se po hetohet e kaluara e tij edhe jashtë vendit ku ka jetuar për disa kohë. Nga sa mësohet i riu nuk ka qenë i dënuar por ka disa precedentë të mëparshëm për shkak të përfshirjes në disa konflikte me persona të tjerë. 33-vjeçari u dërguar drejt Tiranës për një ndihmë të specializuar mjekësore, pasi si pasojë e shpërthimit ka pësuar dëmtime të rënda në gjymtyrë.

Njoftimi i policisë: 

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë në datën 19.12.2021, për ngjarjen e ndodhur tek lagjja “Pavarësia”, ku mbeti i dëmtuar nga shpërthimi i një lënde eksplozive, shtetasi E. S., ju bëjmë me dije se:

Nga shërbimet policore, në bypassin e qytetit të Fierit, pranë mbikalimit të “Parkut të Apollonisë” është gjetur i djegur një automjet i markës “Mazda”, i cili dyshohet se u përket autorëve të ngjarjes.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe grumbullimin e provave që do të çojnë në identifikimin e autorit/ve të ngjarjes.

m.v/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!