Atentati i tretë i mori jetën në mes të Athinës, grekët: Shqiptari ishte pjesë e mafies

schedule18:22 - 30 Maj, 2021

schedule 18:22 - 30 Maj, 2021

Një shqiptar i quajtur Aris Papas është ekzekutuar me armë zjarri në një lagje të Athinës, pasditen e sotme.  Duke  iu referuar mediave greke, Abcnews.al, mëson se krimi i rëndë ndodhi në orën 17:55, në Rrugën “30 Durrachiou .” në Sepolia të Athinës, ndërsa viktima ishte i moshës 34-vjeçare.

Shqiptari ishte i ulur në një kafene, në momentin ku autori i këtij krimi i është afruar me një pistoletë duke e qëlluar disa herë në kokë dhe në trup. Si pasojë e të shtënave fillimisht shqiptari mbeti i plagosur rëndë, por më pas ndërroi jetë rrugës për në spital. Mësohet se viktimën e kanë kapur të paktën 8 plumba në kokë dhe në trup.

Informacionet paraprake bëjnë të ditur se viktima është sulmuar të paktën dy herë në të kaluarën dhe është plagosur lehtë, ndërsa ai gjithashtu rezulton të jetë arrestuar më parë, pasi ishte i përfshirë në raste të trafikut të drogës,  në vrasjen në tentativë, vjedhje dhe grabitje.

Pasi ka kryer këtë krim, autori i vrasjes është larguar qetësisht me një taksi që e mori shumë pranë vendit të ngjarjes. Ndërkohë polica është vënë në ndjekje të tij.

Sipas të dhënave paraprake  mediat greke bëjnë të ditur se shqiptari i ekzekutuar ishte një emër i njohur i botës së krimit.  Ndërkohë më tej thuhet se ai ishte i lidhur me një bandë me mafian shqiptare që u shpërbë së fundmi nga ELAS.  E.L/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!