Të paktën 36 persona, mes të cilëve 8 gazetarë, kanë humbur jetën të hënën në Afganistan, si pasojë e një vale atentatesh të marra përsipër nga Shteti Islamik.
Të paktën 25 persona kanë mbetur të vrarë në dy atentate me bombë në kryeqytetin e Afganistanit, përfshirë disa gazetarë. Shpërthimi i parë u realizua nga një atentator që lëvizte me një motor-bombë, ndërsa i dyti ndodhi rreth 15 minuta më vonë, pasi në vendin e ngjarjes ishin mbledhur njerëz dhe gazetarë. Mësohet se fotografi i agjencisë franceze të lajmeve “AFP” në Kabul, Shah Marai është mes viktimave. Ndërkohë, korrespondenti i BBC, Ahmad Shah mbeti i vrarë në një sulm tjetër, në rajonin e Khostit. 11 fëmijë humbën jetën në një atentat të mëvonshëm në provincën e Kandaharit, që kishte si objektiv trupat e NATO-s. Sipas zëdhënësit të ministrit të Brendshëm afgan, mes viktimave janë të paktën 8 reporterë dhe 4 oficerë policie; ndërsa të plagosurit llogariten rreth 45. Sipas burimit, pas shpërthimit të parë, atentatori i dytë u fut mes turmës së mbledhur duke u shtirur si gazetar dhe më pas u hodh në erë. Përgjegjësia e valës së atentateve është marrë përsipër nga Shteti Islamik. /abcnews.al