Në makinë bashkë me shefin e Policisë Bashkiake të Malësisë së Madhe Mentor Hasanaj dhe babanë e tij Xhelal Hasanaj, ka qenë edhe bashkëshortja e kreut të bluve, Vjollca Hasanaj.
Sipas policisë të plagosur kanë mbetur babë e bir ndërsa duket se 28-vjeçarja ka mundur t’i shpëtojë plumbave. Babë e bir janë dërguar në spitalin e Shkodrës për një ndihmë të specializuar mjekësore.
“Më datë 11.10.2020, rreth orës 12:30, në aksin rrugor Shkodër-Koplik, një person i paidentifikuar që qarkullonte me motomjet, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit të Policisë bashkiake Malësia e Madhe ku udhëtonin shtetasit M. H. 37 vjeç, V. H. 28 vjeçe dhe Xh. H. 70 vjeç, banues në Malësinë e Madhe.
Si pasojë janë plagosur shtetasit M. H, me detyrë Shefi i Policisë bashkiake në Malësinë e Madhe dhe Xh. H., i ati i tij, të cilët janë dërguar në Spitalin Rajonal Shkodër për ndihmë mjeksore
Shërbimet e Policisë me të marrë njoftim kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë ngritur pika kontrolli në akset rrugore dhe po kontrollohet zona ku dyshohet se ka lëvizur autori.
Në ndihmë të Policisë Vendore kanë shkuar edhe forcat e FNSH Shkodër ku vijon kontrolli masiv i territorit për të bërë të mundur kapjen e autorit.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën intensive për grumbullimin dhe fiksimin e çdo prove që do t’i shërbejë zbardhjes së ngjarjes dhe indetifikimin e autorit”, njofton policia./mv. abcnews.al

