Djali i gjykatëses federale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ester Salas, mbeti i vrarë në një atentat në shtëpinë e tij. Ai ishte 20 vjeç dhe u vra në Nju Xhersi teksa po përpiqej të mbronte babain e tij të plagosur avokatin mbrojtës Mark Anderl.
I veshur si një shofer i FedEx, për dorëzimin e postës, vrasësi i ra derës. Në momentin që bashkëshorti i gjykatëses e hapi, i qëlloi disa herë me armë në gjoks. Djali erdhi me nxitim të ndihmonte babain dhe u qëllua për vdekje në zemër. Avokati është shtruar në spital në gjendje kritike për jetën. Lajmi i dhënë nga të gjitha mediat ka shokuar opinionin publik.
Policia bëri të ditur se ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e së dielës, ndërsa gjykatësja nuk është plagosur pasi në momentin e të shtënave ndodhej në bodrumin e shtëpisë.
Forcat e rendit dhe FBI konfirmuan se autori i ngjarjes është ende në arrat. Gjykatësja Salas kishte marrë kërcënime dhe në të kaluarën dhe autoritetet po hetojnë nëse kanë lidhje me të shtënat ose nëse arsyeja duhet të kërkohet në punën e bashkëshortit të saj si avokat mbrojtës.
Salas është një ish avokate mbrojtëse e emëruar nga presidenti Barak Obama në 2011-ën dhe e konfirmuar në qershor të këtij viti si gjykatëse federale, e para grua me origjinë hispanike që mban një post të tillë në Nju Xhersi.
Associated Press, shkruan se ajo ishte caktuar të drejtonte çështjen e nisur nga investitorët e Deutsche Bank. Paditësit pretendojnë se shoqëria ka bërë deklarata të rreme dhe nuk e ka monitoruarar Xhefri Epstein, i arrestuar për abuzime seksuale dhe trafik ndërkombëtar të miturish./abcnews.al