Atentat dy vëllezërve në Shkodër

schedule10:04 - 30 Mars, 2019

schedule 10:04 - 30 Mars, 2019

Dy persona të maskuar që po lëviznin me makinë kanë vrarë me kallashnikov dy vëllezër në Shkodër. Viktimat Astrit dhe Brahim Bilali po shkonin në shtëpinë e motrës së tyre në lagjen Kiras. Mësohet se Astrit Bilali është babai i Asmer Bilalit, ish-kampionit të boksit ,i arrestuar nga policia si pjesë e grupit Bajri. Ende nuk dihen motivet e vrasjes së dyfishtë.

Dy vëllezër që po ecnin në këmbë drejt shtëpisë së motrës së tyre janë ekzekutuar në lagjen Kiras të Shkodrës. Atentatorët të maskuar erdhën me një makinë dhe personi që ndodhej nga ana e shoferit i qëlloi me kallashnikov duke i lënë të vdekur në trotuar.

Viktimat janë Astrit Bilali, 59 vjeç dhe Brahim Bilali, 61 vjeç. Më pas autorët fshehën mjetin tip “Benz” në po të njëjtën lagje dhe i vunë flakën.

Aty mbërriti zjarrfikësja, e cila fiku zjarrin dhe makina nuk arriti të digjej totalisht. Kjo mund të ndihmojë policinë për të gjetur gjurmë të ekzekutuesve. Autorët mendohet se i kanë ndjekur më herët lëvizjet e të dy vëllezërve nëpër lagje dhe më pas i kanë eleminuar.

Ende nuk dihet nëse ishin të dy shënjestra e atentatorëve apo vetëm njëri prej tyre. Shërbimet e Policisë janë në ndjekje të autorëve. Forcat FNSH Shkodër kanë ngritur pika kontrolli në hyrje dhe në daljet e qytetit.

Gjithashtu nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka mbërritur një grup i posaçëm me ekspertë dhe drejtues të Policisë Kriminale dhe asaj të Rendit për t’ju bashkuar grupit hetimor të ngritur për zbardhjen e kësaj vrasje të dyfishtë.

Për ngjarjen janë shoqëruar në komisariat disa persona për t’u marrë në pyetje. Astrit Bilali është babai i Asmer Bilalit ish-kampionit të boksit, i arrestuar nga policia si pjesë e grupit Bajri. Astrit Bilali ka qenë pronar i një resorti hipizmi në Shkodër. Ndërsa Brahim Bilali ka qenë kryetar i Shoqatës 2 Prilli 1992./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!