Atalanta është në zonën Champions në Serinë A, pas fitores së fundit. Skuadra e shqiptarëve Etrit Berisha e Berat Gjimshiti, po realizon një mrekulli të vërtetë.
E tillë ishte atmosfera pas hapit të madh në Kupë.
Atalanta mbërriti në finale dhe festa shpërtheu në stadiumin “Atleti d’Italia”, por imagjinoni se çfarë do të ndodhë këtu nëse arrihet Championsi.
Trajneri Xhampiero Gasperini dhe djemtë e tij arritën një tjetër fitore, një tjetër rezultat në drejtimin e duhur, duke mundur 2-0 Udinezen në Serinë A.
Kjo do të thotë ngjitje e vetme në vendin e katërt, pozicioni i fundit që të kualifikon në Ligën e Kampionëve, edicionin e ardhshëm.
Atalanta ka 59 pikë ndaj 58 të Romës, ndërsa më prapa janë Torino, Milani e Lacio. Gjithsesi, fitorja doli tepër e vështirë, dhe golat u shënuan vetëm në minutat e fundit. Marten De Ron realizoi me penallti në të 82-ën dhe Mario Pashaliç në të 85-ën.
Mbeten edhe katër ndeshje deri në realizimin e ëndrrës, por edhe vetë trajnerit nuk i duket i vërtetë ky realitet.
“Tashmë e kemi fatin në duart tona, gjithsesi, ende nuk arrij ta besoj këtë që po bëjmë. Duhet të përqendrohemi dhe të fitojmë ndeshjet që na mbeten, edhe pse kundërshtarët janë të fortë. Duam të bëjmë diçka të veçantë”, theksoi trajneri.
Le të japim edhe paradën e zakonshme të mediave italiane.
“La Gazeta dello Sport”: Përralla pa mbarim! Atalanta mposht edhe Udinezen. Është e vetme në vendin e katërt, që do të thotë Champions!
“Tutosport”: DEA, kështu shkon në Champions! Atalanta kalon Romën dhe ngjitet në vend të katërt, të dielën dueli direkt me Lacion!
“Il Korriere delo Sport” lavdëron trajnerin Bergamask: Parakalimi i Gaspit! Gara për Championsin, Atalanta kalon Romën, të dielën sfida me Inzagin!
Për fat të keq, dy shqiptarët e Atalantës u aktivizuan pak.
Etrit Berisha prej kohësh është në stol, ndërsa lojtari tjetër i kombëtares, mbrojtësi Berat Gjimshiti, luajti vetëm në 12 minutat e fundit.
Gjithsesi, nëse arrihet Championsi, kënaqësia do të jetë e madhe edhe për ata, pasi që të dy kanë dhënë kontribut, sidomos Gjimshiti./ABC News Albania 24/7