Ata punojnë që ne të festojmë, mjekët dhe infermierët të cilët presin Vitin e Ri në maternitet

schedule23:19 - 31 Dhjetor, 2022

schedule 23:19 - 31 Dhjetor, 2022

Nga Ajgena Korbi 

Ndërrimi i viteve mund ta gjejë në sallën e  lindjes ose duke u kujdesuar për ndonjë paciente që ka nevojë për ndihmë, por jo në tryezën e festës.

Fatjon Balla, obstetër-gjinekolog, vitin e ri nuk do ta presë as me familjen dhe as me miqtë.

Mjeku do të jetë në shërbim në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë.

 “Do të jem pranë nënave dhe bebeve sepse  jam në shërbim 24 orësh për të mbuluar pjesën e emergjencave natën e ndërrimit të viteve. Detyra na obligon që te jemi pranë pacientëve në këtë rast.”

Nuk është e pazakontë për të. Shefi i shërbimit mesnatën e 31 dhjetorit thuajse gjysmën e viteve, që prej ditës kur veshi bluzën e bardhë, i ka nisur dhe i ka mbyllur në maternitet.

“Me ç’kujtoj me shpejtësi, në 20 vite karrierë besoj që 6 -7 vite kam festuar në maternitet. Festa e ndërrimit të viteve për ne është një ditë e zakonshme. Nuk është se kemi ndonjë diferencë nga ditët e tjera në këtë shërbim. Sigurisht që është e ngarkuar me emocione se njerëzit janë të angazhuar me festën, por për ne është gjithmonë e njëjta vigjilencë.”

Kështu mes të qarave të bebeve që shpesh i zëvendësojnë trokitjen e gotave merr e jep urimet për një vit të mbarë.

“Bëjmë ndonjë përshëndetje me kolegët, por ndonjëherë detyra na detyron të jesh i përqendruar tek nevoja dhe problematika që mund të paraqesin pacientët.”

Pjesë e ekipit natën e fundit të vitit në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë është edhe Brunilda Ramaj.

Kryemamia e turnit të tretë në 29 vite punë 7 ndërrime vitesh i ka kaluar në detyrë.

 “Tani çdokush natën e ndërrimit të viteve do ta kalojë me familjen e vet, por ne jemi të përkushtuar në punë. Këtë vit jam 31 dhe 1 në punë.”

Në shtëpi na tregon se ka lënë gjithçka  gati,  por e ka një merak.

“Ky vit ka një event në familjen time që do të ma ndjejnë vërtetë mungesën si zonjë shtëpie. E kemi festuar më 2 me familjen.”

Në maternitet, në festë kthehet ardhja e çdo jete.

“Marrim një gëzim të paparë, ardhjen e bebeve. Pas orës 12 këtu tek ne fillojnë lindjet, fillon puna deri në 7 të mëngjesit.”

Do ti pëlqente që bebja e parë e vitit 2023 të lindte djalë, por një tjetër dëshirë e ka më të madhe se kaq.

“Rëndësi ka të vijnë të mbarë e të shëndetshëm.  Të kemi mbarësi në familje, dhe për nënat dhe bebet.”

Ndërrimi i viteve është festa që bën bashkë familjen. Të gjithë duan  të jetë sa më i qetë dhe i hareshëm. Që të realizohet, shumë persona të profesioneve të ndryshme duhet të punojnë. Mes tyre bluzat e bardha, urimi i të cilëve për vitin 2023 vjen për të gëzuar shëndet./Abcnews.al 

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!