Një nga vrimat e zeza më të mëdha, me një masë mbi 30 miliardë herë më shumë se masa e Diellit, u zbulua nga një ekip astronomësh, duke shfrytëzuar një fenomen të quajtur “thjerrëza gravitacionale”.
Ekipi, i udhëhequr nga Universiteti Durham i Britanisë, përdori këtë fenomen ku fusha gravitacionale e një galaktike në plan të parë përkul dritën nga një objekt më i largët dhe e zmadhon atë.
U përdor një superkompjuter në universitet dhe imazhe me rezolucion ultra të lartë nga Teleskopi Hapësinor Hubble i NASA-s për të ekzaminuar nga afër se si drita nga një vrimë e zezë përkulet brenda një galaktike qindra miliona vite dritë nga Toka.
Pra, astronomët vunë re një vrimë të zezë supermasive, e para e gjetur ndonjëherë duke përdorur këtë teknikë, në të cilën ekipi simulon dritën që udhëton nëpër univers qindra mijëra herë.
“Kjo vrimë e zezë, e cila është rreth 30 miliardë herë më e madhe se masa e Diellit tonë, është një nga më të mëdhatë e zbuluara ndonjëherë dhe kalon çdo pritshmëri nga sa mendonim ne se sa mund të jenë teorikisht vrimat e zeza. Pra, është një zbulim jashtëzakonisht emocionues”, thotë autori kryesor James Nightingale, nga Departamenti i Fizikës i Universitetit Durham.
Ai shton se lente gravitacionale bën të mundur studimin e vrimave të zeza joaktive, gjë që aktualisht nuk është e mundur në galaktikat e largëta. Kjo qasje mund të na lejojë të zbulojmë shumë më tepër vrima të zeza përtej universit tonë lokal dhe të zbulojmë se si ato evoluan më tej në kohën kozmike.
Rezultatet e hulumtimit janë publikuar sot në revistën Monthly Notices of the Royal Astronomical Society. /abcnews.al