Astmer Bilali i jep lamtumirën e fundit babait dhe xhaxhait

schedule19:09 - 31 Mars, 2019

schedule 19:09 - 31 Mars, 2019

I jepet lamtumira e fundit Brahim dhe Astrit Bilalit, viktimave të ekzekutimit të dyfishtë të ndodhur mëngjesin e së shtunës në Shkodër. Në ceremoni u lejua që të marrë pjesë dhe djali i njërit prej viktimave, i arrestuar tetorin e kaluar së bashku me disa anëtarë të grupit kriminal “Bajri”. Ndërkohë që ende nuk është vënë asnjë person në pranga për këtë krim të dyfishtë, detaje të reja janë zbuluar nga grupi hetimor.

Asmer Bilalit, iu hoqën prangat nga duart për pak orë, sa për t’i dhënë lamtumirën e fundit të atit dhe xhaxhait dhe për të hedhur një grusht dhe në varr. Pasdreken e së dielës, kur u përcollën për në banesën e fundit Brahim dhe Astrit Bilali, ceremonisë iu bashkua dhe ish-boksieri kampion i Vllaznisë, i arrestuar në tetor të vitit të kaluar së bashku me një grup personash të tjerë të lidhur me klanin kriminal Bajri.

Para varrimit familjarët e tij bënë thirrje për të patur më shumë leje sesa disa orë. Ceremonia e varrimit të Astrit dhe Brahim Bilalit ka qenë tërë kohën e monitoruar nga policia. Ndërsa detaje të reja janë zbuluar nga atentati që tronditi Shkodrën dhe tërë opinionin publik paraditen e të shtunës.

Njëri nga viktima e së shtunës në Shkodër, Astrit Bilali iu është kundërpërgjigjur autorëve të atentatit. Në vendin e ngjarjes janë gjetur krahas gëzhojave të automatikut me të cilin janë ekzekutuar dy vëllezërit Bilali edhe gëzhoja pistolete. Ndërsa arma është gjetur pranë trupit të Astrit Bilalit. Makina e përdorur nga autorët është deklaruar i vjedhur që në muajin dhjetor te 2018-ës. Brenda në Benzin që dyshohet se përdoren atentatorët u gjet arma e krimit të dyfishtë.

Policia ka shoqëruar dhjetëra persona që prej të shtunës, por akoma nuk është prerë asnjë fletë arresti për autorët e dyshuar të krimit, që siç tha vetë ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dyshohet se ka ndodhur për larje hesapesh mes grupeve kriminale në qytetin e Shkodrës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!