Aspirina rrit rrezikun për infarkt? Studimi viral i mjekut shqiptar, Bigfarma kundër tij

schedule11:17 - 29 Nëntor, 2023

schedule 11:17 - 29 Nëntor, 2023

TIRANË- Përdorimi i aspirinës e rrit me 26 për qind rrezikun e infarktit të zemrës tek njerëzit që kanë qoftë edhe një faktor predispozues lidhur me këtë gjendje. Ky është përfundimi i studimit të ri i botuar ditët e fundit në “ESC Heart Failure”, revista e Shoqatës Evropiane të Kardiologjisë (ESC).

Mjeku shqiptar Blerim Mujaj, i cili është autori i këtij studimi, në lidhje “Skype” për “ABC e Mëngjesit”, tregoi se pacientët që kanë përdorur aspirinë kanë një shkallë më të lartë rreziku të sëmundjeve kardiovaskulare.

Ai theksoi se kampioni i studimit ka qenë mbi 30 mijë pacientë nga SHBA dhe Evropa, dhe për këtë, rezulton se pacientët që janë përdorues të Aspirinës janë më të rrezikuar nga sëmundjet e lartpërmendura.

“Përdorimi i Aspirinës është menduar si një shpëtues, ose si zgjedhje, e cila mund të parandalojë një sulm dhe një atak të madh, që mund të shkaktojë një gjendje akute. Unë kam bërë një studim, i cili lidhet me pamjaftueshmërinë e zemrës. Aspirina përafërsisht përdore prej 100 vitesh në praktikë mjekësore dhe nuk kemi pasur njohuri të mjaftueshme nëse Aspirina e rrit rrezikun e pamjaftueshmërisë së zemrës ose jo. Studimi im është studimi i parë që e dëshmon një veprim të tillë dhe bazohet në koncepte të tjera në veprimin e aspirinës më shumë në enët e gjakut dhe në veshkë. Unë kam bërë një hulumtim me mbi 30 mijë pacientë, të shtrirë në dy kontinente, në Europë dhe në SHBA, janë pjesëmarrës me mbi 7 shtete që shtrihen gjeografikisht në këto dy këto kontinente dhe të gjithë pacientët që kam bërë hulumtimet kane qenë me pamjaftueshmëri të zemrës, por me faktorë rreziku për sëmundje të zemrës. Një grup ka përdorur Aspirinë dhe grupi tjetër nuk ka përdorur aspirinë. Tek grupi, i cili ka përdorur aspirinë, incidenca e pamjaftueshmërisë së zemrës ka qenë më e lartë. E rrit rrezikun me 26%”, tha ai.

Ai shkoi më tej, ndërsa shprehet se në rastet e parandalimit primar të sëmundjeve kardiovaskulare, Aspirina nuk duhet të përdoret nga pacientët.

“Në parandalimi primar aspirina nuk duhet të përdoret. Edhe Shoqata Amerikane dhe Evropiane e Kardiologjisë ka reaguar në përmirësimin e udhërrëfyesve të fundit sa i përket praktikave të parandalimit të sëmundjeve kardiovaskulare ku e ka hequr rekomandimin e përdorimit të aspirinës në parandalimin primar të sëmundjeve kardiovaskulare”, tha ai.

Ai tha se studimi i tij nuk e shqetëson aspak se çfarë reagimesh kanë pasur prodhuesit e këtij medikamenti, i cili përdoret nga pacientët prej më shumë se një shekulli./n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!