Ish ministri i Jashtëm, Paskal Milo komentoi takimin e sotëm të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me zyrtarët e lartë të BE-së dhe SHBA-së për neutralizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Sipas tij, ky takim është bërë për të gjetur “disa kompromiseve brenda pozicioneve ekstremeve të të dyja palëve”.
“Kurti përsëri nuk ka rënë dakord me planin për sa i përket asociacionit. Për Prishtinën është “Thembra e Akilit” sepse vë në dyshim atë që shqiptarët e Kosovës, duhet ta ruajnë që është çështja e respektimit të sovranitetit. Nëse krijohet një asociacion që do të ketë pushtet ekzekutiv, krijon mundësinë e një shteti brenda shtetit, gjë që do të minonte sovranitetin e Kosovës.”, tha ai.
Siç shtoi ai, flitet për një propozim që ka të bëjë më asociacionin në mënyrë që komunat serbe të mos kenë pushtet ekzekutiv.
“Kurti kundërshton një asociacion mono etnik. Ai propozon që të krijohet por të bëjë pjesë jo vetëm minoriteti i serbëve por dhe të tjerëve për të mos e lënë vetëm në duart e serbëve sepse do të ishte një instrument në shërbim të Beogradit. Nga ana e amerikanëve është dhënë garanci që krijimi i asociacionit nuk cenon sovranitetin e Kosovës.
Ai shtoi se nëse Serbia do të pranonte planin franko-gjerman, me ato terma që është paraqitur dhe pa ndryshime, do të pranonte kështu dhe njohjen e Kosovës.
“Në planin e përgjithshëm, e shoh më të vështirë për Vuçiç sepse nëse pranon një marrëveshje të tillë, ose planin franko-gjerman që e ka hedhur poshtë dy herë, me ato terma që është paraqitur, i duhet të pranojë de fakto atë që ka kundërshtuar de juro. pra duke pranuar këtë pako, ai do të njohë sovranitetin e Kosovës, integritetin territorial të Kosovës.”
A do të ketë një marrëveshje brenda Marsit?
“Nuk e besoj sepse si shumë premtime që janë bërë gjithë këto vite asnjë nuk është realizuar dhe ndarja midis tyre është e thellë saqë është e vështirë që të realizohet për dy muaj një marrëveshje historike. Palët janë larg ende dhe nuk di çfarë instrumentesh mund të përdoren dhe për të bërë lëshime mes palëve.”, tha Milo./abcnews.al