Politologu Alban Daci foli për krizën në Partinë Demokratike, duke analizuar sipas tij hapat që duhet të ndiqte PD për t’i dhënë fund përçarjes.
Sipas tij rruga kryesore do të ishte ndarja përfundimtare nga ‘Rithemelimi’ dhe asnjë formë negocimi me ish-kryeministrin Sali Berisha.
“Unë mendoj që ka dy këndvështrime për t’i dhënë përgjigje kësaj gjëje. Këndvështrimi i parë është se çfarë ndodh brenda PD. Që nga 8 janari apo shpallja e Berishës non-grata tek PD zyrtare sot ekziston paranoja, frika dhe hija e zotit Berisha. Kjo është një nga problemet kryesore që ka PD sot dhe kjo është mungesa e kurajës që zgjidhja e vetme e PD sidomos pas 8 janarit është të dalë dhe të thotë me të madhe që ‘ne nuk bashkohemi dhe nuk kemi asnjë lloj interesi për t’u bashkuar politikisht me Rithemelimin’. Ky do të ishte hapi më i mirë për të krijuar identitetin për të cilën u nda dhe për t’i qëndruar koherencës. Pra kushdo që flet për bashkim është i mundur politikisht, njeri pa kurajë dhe njeri që i dorëzohet Berishës pas një beteje dy vjeçare. Mendoj që zgjidhja përfundimtare e PD është ndarja përfundimisht dhe asnjë lloj forme negocimi ne Berishën dhe Rithemelimin. Rithemelimi është një subjekt tjetër politik që ka politikën e tij agresive për të marrë gjithçka me dhunë dhe forma jodemokratike. Dhe për këtë arsye nuk duhet të ketë më arsye për t’u bashkuar. PD është e vërtetë që pas shpalljes non-grata të zotit Berisha ia ka dorëzuar terrenin zotit Berisha dhe kjo nuk duhet të kishte ndodhur. Kjo duhet të ishte bërë me një lider shumë të fortë, ne kemi pasur politikan dhe vizionar. Ne kemi pasur politika dhe jo lider, sot kemi njerëz që merren me pazare”, tha ndër të tjera ai.
/abcnews.al/