“Asnjë i infektuar me Covid nga Veriu i Kosovës”, statistikat i ka Beogradi

schedule11:29 - 21 Janar, 2022

schedule 11:29 - 21 Janar, 2022

Rastet e infektimeve me COVID-19 në komunat me shumicë serbe po vazhdojnë të mos raportohen në raportin 24 orësh të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, teksa shifrat e infektimeve në këto komuna regjistrohen në Beograd.

E enjta e kësaj jave ka qenë prej ditëve me më së shumti raste në Kosovë, prej që ka nisur pandemia. Mbi 2 mijë e 700 raste pozitive brenda 24 orëve në Kosovë u regjistruan vetëm dje, duke mos përfshirë shifrat e rasteve pozitive të komunave me shumicë serbe.

Raportet e rasteve pozitive në komunat me shumicë serbe po vazhdojnë të publikohen në faqen e “Shtabit të Krizës së Komunës të Mitrovicës së Veriut”. Të mërkurën në raportin e publikuar nga kjo faqe prej 55 testime të kryera, 51 persona kanë rezultuan pozitiv me COVID-19, kështu duke raportuar se janë 720 raste aktive në këto komuna.

Ndërsa, gjatë kohës kur Arben Vitia ishte në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, në një konference për media në shtator të vitit të kaluar ka thënë se nuk ka akoma raportim zyrtar për arsye tashmë teknike dhe jo vetëm politike.

“Për fat të keq pas një shkëputje disamujore natyrisht edhe tek ne edhe tek komunat përkatëse është bërë niveli i regjistrimit i tillë që nuk ka pasur raportime në Republikën e Kosovës. Kam biseduar edhe personalisht me ministrin Rakiq në Qeverinë e Republikës së Kosovës ku natyrisht përveç përditësimit dhe raportimev që m’i bën gojarisht nuk ka akoma raportim zyrtar për shkak arsye tashmë edhe teknike dhe jo vetëm politike”, kishte deklaruar Arben Vitia.

Kjo gjë vërehet edhe nëweb-faqen online ku Ministria e Shëndetësisë publikon të dhënat e rasteve të reja të infektuara me COVID-19 dhe rastet aktive me këtë virus, ndërsa shihet qartazi se në komunat me shumicë serbe nuk janë të publikuara shifrat për numrin e rasteve aktive me këtë virus.

Për një gjë të tillë Express kishte raportuar edhe muaj më parë, ndërsa situata epidemiologjike në vend është përkeqësuar, pasiqë pothuajse se të gjitha rastet e konfirmuara ditëve të fundit janë me variantin “Omicron”, e që një gjë e tillë u tha edhe sot në mbledhjen e Komitetit për Koordinim dhe Vlerësim të situatës me Covid-19.

Po ashtu sot do të rishikohen masat anti-COVID që janë në fuqi dhe do të merret vendim nëse do të ketë masa të reja, gjë për të cilën foli edhe Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi në një konferencë për media sot ku u shpreh se do të ketë ndryshim të masave konform situatës epidemiologjike./Express

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!