Asnjë gjurmë nga “qyteza-port” në Myzeqe, e vetmja dëshmi kisha e Marinës

schedule13:48 - 29 Gusht, 2020

schedule 13:48 - 29 Gusht, 2020

Mes ranishteve dhe shkurreve, kjo kishë e vogël, rrëfen histori me kështjella dhe prijësa. Shën Marina pranë Hasturkasit në Fier, ndodhet aty ku 7 shekuj më parë lulëzonte porti lumor i Semanit. Bashkë me kishën mbijetoi edhe legjenda e qytezës së humbur dhe Kullës së Pirgut.

“Kulla u gjurmua në sajë të legjendës sepse popullsia e zonës shkonte në kishën rrënojë të Shën Marinës. Kisha mund të ketë qenë një kishë e vogël që ishte ndërtuar për nevojat e marinarëve që shkonin në udhëtim”, tregon studiuesi Ilirjan Gjika.

Një kishë që më tepër se objekt kulti shërbeu si “far” për historianët që të gjejnë qytezën e marinarëve.

Me pelegrinë që nuk e harruan kishën e tyre ndër shekuj, “Shën Marina” si një udhëtim shpirtëror është gjithashtu dëshmitare e funksionit pragmatist të qytezës së Pirgut. Skela Lumore mbi lumin Seman, ishte një kështjellë tregtare e lakmuar nga sundimtarët mesjetarë shqiptarë ç’ka bëri që pronësia e saj të kalonte nga njëri feudal te tjetri.

 “Skela e Pirgut ose skela e Devollit ka funksionuar në vitin 1308-1417. Ishte një skelë private joshtetërore e ndërtuar për të eksportuar prodhime bujqësore të krahinës së Myzeqesë nga familja feudale Matranga. Rëndësia e saj duket tek përballja që bëjnë familjet feudale të kohës. Matrangëve ia marrin Muzakajt. Muzakajve ia marrin Balshajt, më vonë futen në lojë edhe Topiajt. Sot nuk ekziston kulla e famshme  e Pirgut”, tregon historiani Ilirjan Gjika.

Porti ose skela lumore e Pirgut ndodhej aty ku Semani ose Devolli i dikurshëm takohej me Adriatikun, me anije që vinin nga deti dhe lumi për të shitur dhe blerë mallra.

“Duhet të ketë funksionuar si qytezë, shprehet më tej Gjika.

Grumbuj me gurë të shpërndarë në një sipërfaqe prej disa hektarësh, janë gjithçka ka mbetur nga Kulla e Pirgut dhe porti lumor që funksionoi për 100 vjet si nyje e rëndësishme tregtare dhe politike.

“Kulla ishte edhe për vëzhgime të anijeve apo për mbrojtje. Pra ku kemi kështjellë, kemi banim, treg, rrugë…” shprehet studiuesi Maskim Zarka.

Kulla kishte formë pesë-këndore me 2 brinjë prej 20 metrash dhe 3 të tjerat nga 17 metra. Qyteza pranë kullës kishte dyqane, hambarë, objekte kulti, zyra tregtare, doganore dhe madje edhe konsullore.

“Këtë fakt na e përforcon një dokument i atyre viteve, ku Republika e Raguzës, (Dubrovniku i Sotëm), vendosi aty ambasadorin e saj, tregon Gjika.

Ndryshimi i rrjedhës së lumit i hoqi funksionin portual qytezës, duke çuar në braktisjen e saj.

“Shkaku i braktisjes është se lumi Seman që në atë kohë quhej lumi Gjeval u spostua dhe kaloi në krahun e majtë dhe mori lumi Seman, po ashtu ndikuan edhe luftërat e brendshme”, tha studiuesi Zarka.

7 shekuj më pas nga Kulla kështjellë nuk gjenden as rrënojat. Këto të fundit u zbuluan në fund të viteve 70, por megjithëse u shpallën monument kulture, u lanë në harresë. Vetë kisha është rindërtuar mbi themelet e objektit të vjetër.

“Kulla e Pirgut është zbuluar në vitet 70 nga profesor Neritan Ceka, shkrimi i tij  është botuar në vitin 1978 dhe një vit më vonë u shndërrua në monument kulture. Pakujdesia në këto 30 vite bëri që kulla rrënojë të mos ekzistojë. Gurët janë marrë për qëllime të dikurshme, për ndërtim. Pakujdesia ka bërë që të mos identifikohet më. E vetmja shenjë është Kisha e Shën Marinës”, shprehet ai.

Tre skelat Lumore të Myzeqesë, Pirgu në Libofshë, Spinarica në Topojë dhe Sllanica në grykëderdhjen e Vjosës ishin pjesë e një trekëndëshi të fuqishëm tregtar, gjatë periudhës së mesjetës.

“Myzeqeja Perëndimore vepronin në tre skela lumore –detare. Këto skela kishin doganat e tyre, madje Spinarica kishte edhe konsuj. Një dokument i Venedikut informon se në 1412 Pirgu kishte Kështjellë. Më vonë na informojnë se ngjitur me kështjellën ishte e dhe Kulla”, tregon ai.

Turris Pirgji siç quhet në dokumentet e kohës, bashkë me qytezën tregtare dhe objektet e kultit humbën përfundimisht. Por legjenda e saj vazhdon të përcillet ndër banorët e zonës me  kishën e Shën Marinës të mbijetuarën e vetme.

/abcnews.al/