Banorët e Blinishtit në Mirditë nuk kanë përfituar asnjë dëmshpërblim për shembjen e banesave të tyre 2 vite e gjysmë më parë, si pasojë e rrëshqitjes se tokës.
Këtë shqetësim e prezantuan edhe tek prefekti i Lezhës Gjon Jaku, ndërsa ndërmorën një protestë për të kërkuar zgjidhjen e problemit.
Banorët thonë se dokumentacioni ende nuk është dërguar për miratim pranë Këshillit të Ministrave.
“I jemi drejtuar ministres Balluku me një letër, për kontributin e dhënë për zgjidhjen e problemit. Më datën 13 gusht na vjen një përgjigje nga sekretarja e përgjithshme e Ministrisë që ia kalon për kompetencë ARRSH. Në dijeninë tonë vendimi i Këshillit të Ministrave bëhet nga Ministria e Infrastrukturës dhe pasi të dalë, vendimi kalon tek ARRSH. Ishim të përgatitur që në shtator të merrnim paratë, janë tre muaj. Shembja ka ardhur si rezultat i papërgjegjshmërisë së institucioneve në 2008. Tani çdo gjë është gati duhet të na dëmshpërblejnë. I bëj thirrje edhe Edi Ramës, që të dëmshpërblehemi, nuk kemi asnjë ndihmë shtetërore”, shprehet ai.
Lexo edhe: Pallati i dëmtuar nga tërmeti, banorët në Durrës protestojnë: Bashkia nuk na jep përgjigje
Rrëshqitja e tokës në fshatin Blinisht të Mirditës nisi gjatë ndërtimit të rrugës së Kombit në vitin 2008, por përmasat e tij u bënë të frikshme në vitin 2018 duke sjellë rrëshqitje të frikshme dherash që dëmtuan 25 banesa dhe një biznes të madh që ndodhej përbri autostradës së Kombit.
Një qytetar tregon se deri më tani nuk kanë pasur asnjë mbështetje ekonomike.
Po ashtu ata paralajmëruan përshkallëzim të protestës së tyre deri në bllokimin e lëvizjes së automjeteve përgjatë rrugës së Kombit.
“Jemi të dëmtuar prej dy vitesh. Nuk kemi asnjë mbështetje financiare. Kërkojmë dëmshpërblim në mënyrë urgjente. Në rast se nuk do të merren përbazë kërkesat tona do të bllokojmë rrugën e Kombit. Fillimisht do të bëjmë kërkesë për protestë edhe pse e dimë që nuk do ta lejojnë. Por siç janë bërë ata të paligjshëm ata që kanë dëmtuar pronat tona, edhe ne do të bëjmë protestën”, shprehet ai.
Sakaq prefekti i qarkut në Lezhë u shpreh se do të merren masa për zgjidhjen e këtij problemi.
“Personalisht nga sot unë do të komunikoj me Autoritetin e Rrugëve dhe me sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Transporteve. Nëse e gjitha praktika është kryer nga Ministria e Transporteve atëherë nuk do të mbesë në rrugë, sepse do t nxisim ne, të gjithë faktorët lokal për t zgjidhur problemin që keni prej dy vitesh”, tha prefekti i qarkut të Lezhës Gjon Jaku.
/abcnews.al/