Asllani është i paprekshëm, Inter refuzon milionat e “Violëve”

schedule20:56 - 3 Korrik, 2024

schedule 20:56 - 3 Korrik, 2024

Vazhdon të rritet dhe padyshim të vlerësohet më shumë, teksa në moshën 22-vjeçare, Kristjan Asllani, më në fund u bë shtyllë e kombëtares shqiptare në Euro 2024, dhe ofertat për të nuk mungojnë.

Aktualisht është pjesë e “Zikaltërve” të Inter, me të cilin ka pasur momente të bukura e shumë minuta të tjera në stol, dhe pikërisht për këtë arsye Fiorentina kërkon të përfitojë, gjithsesi, kampionët në fuqi të Italisë e kanë refuzuar interesimin e “Violëve”, ndonëse më përpara u shkrua se mund të pranonte.

Sipas raportimeve të mediave pranë klubit “Zikaltër”, drejtuesit e Inter nuk kanë ndërmend të lejojnë largimin e Asllanit këtë verë, dhe kjo mund të ndodhë vetëm në rast të një oferte tepër të lartë, teksa u përfol shifra prej 35 milionë eurosh, por duket se as kaq nuk është e mjaftueshme.

Trajneri Simone Inzaghi vazhdon të besojë më shumë te mesfushori turk, Hakan Çalhanoglu, veçse 30-vjeçarit vazhdojnë t’i shtohen vitet mbi supe dhe strategu i kampionëve e di se “veterani” do të ketë nevojë të pushojë, e mund të ketë dëmtime e pezullime, dhe mesfushori shqiptar cilësohet si zëvendësuesi i tij më i denjë.

Duke qenë 22 vjeç, besohet se Kristjan Asllani do të ketë më shumë minuta tek Inter, edhe sepse ka përvojë më të madhe se më parë, pra e thënë ndryshec shqiptari mbetet pjesë e rëndësishme e projektit. /i.m /abcnews.al