Franck Ribery po tregon se mosha nuk ka rëndësi të madhe për një kampion si ai. 36-vjeçari francez u largua në verë nga Bayern Munchen pas 12 vitesh dhe zgjodhi Fiorentinën për të vazhduar karrierën.
Ndryshimi i presidencës, ardhja e tij dhe qëndrimi i Chiesës kanë rikthyer entuziazmin te tifozët viola. Ekipi po luan një futboll të bukur, po dëfren dhe po rikthehet te rezultatet pozitive. Ribery i ka surprizuar të gjithë: vrapon si një djalë i ri, lufton për të ndihmuar shokët, ndërsa klasi nuk i mungon kurrë.
Në katër ndeshjet e fundit ai është aktivizuar si titullar dhe ka arritur të shënojë dy gola e të dhurojë një asist. Fiorentina ka marrë 8 pikë në katër sfidat e fundit, aq më tepër përballë kundërshtarëve si Juventus, Atalanta, Milan (shijoi edhe një “standing ovation” fantastik në San Siro) dhe Sampdoria.
Ribery ka qenë ndër më të mirët e ekipit të Montellës dhe vlerësimi për të nuk ka munguar. Anësori ofensiv është shpallur lojtari më i mirë i muajit shtator nga Liga e Serie A. Ky çmim do t’i dhurohet përpara ndeshjes të së dielës kundër Udineses në shtëpi. /abcnews.al