Ashensori plagosi pacienten në QSUT, reagon ISHMT: Nuk ishte regjistruar

schedule12:38 - 17 Maj, 2022

schedule 12:38 - 17 Maj, 2022

Një ditë pas rënies së ashensorit në QSUT ku u dëmtuan rëndë një paciente e moshuar dhe një barrelist që e shoqëronte atë për në katin -1, Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut pohon se ky ashensor nuk ishte i regjistruar.

Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut me anë të një njoftimi zyrtar në lidhje me ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në QSUT, ku u rrëzua ashensori dhe për pasojë u dëmtuan rëndë dy persona, thekson se ai nuk ishte i regjistruar pranë këtij institucioni.

Sipas ISHMT rezulton se është kryer ekzaminimi fillestar i ashensorit nga një organ i miratuar, por nuk është kryer regjistrimi i ashensorëve në zbatim të Ligjit “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve jo ushqimore”.

Në bazë të ligjit, Personi Përgjegjës i produkt/instalimit ka për detyrë të kontraktojë një Organ të Miratuar, i cili bën kontrollin fillestar të ashensorit dhe atë periodik, për të vlerësuar nëse ashensori është në përputhje me rregullat teknike për të garantuar sigurinë e përdoruesve. Pas kryerjes së ekzaminimit fillestar personi përgjegjës ka detyrimin për regjistrimin e ashensorit pranë ISHMT-së.

Ashensori në Urgjencën e Sëmundjeve të Brendshme në QSUT ra teksa pacientja Vezire Cufe 80 vjeçe po transportohej nga kati 0 në -1 për kryerjen e ekzaminimeve radiologjike. E moshuara mori dëmtime të rënda në kokë. I dëmtuar në të dy këmbët mbeti edhe barrelisti Klevis Dauti.

Për këtë ngjarje u proceduan në gjendje të lirë tekniku i ashensorit Ermal Braja dhe administratori i kompanisë “Sulollari Klima”, Ardian Sulollari që është kontraktuar për mirëmbajtjen e ashensorit.

Ndërsa hetimet për të përcaktuar shkakun e rënies së tij vijojnë.

Njoftimi:

Lidhur me ngjarjen e ndodhur në QSUT, ku si pasojë e një problemi në funksionimin e ashensorit janë plagosur dy persona, Inspektoriati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, në bashkëpunim me strukturat e tjera ligj zbatuese, është angazhuar maksimalisht për zbardhjen e ngjarjes, përcaktimin e shkaqeve dhe marrjen e masave me qëllim mos përsëritjen e ngjarjeve të tilla, të cilat cënojnë sigurinë e qytetarëve.

Paraprakisht dëshirojmë të informojmë se, në bazë të inspektimit të kryer nga ISHMT, rezulton se është kryer ekzaminimi fillestar i ashensorit nga një organ i miratuar, por nuk është kryer regjistrimi i ashensorëve në zbatim të Ligjit 10489/2011 “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore’, i ndryshuar.

Në bazë të ligjit, Personi Përgjegjës i produkt/instalimit ka për detyrë të kontraktojë një Organ të Miratuar, i cili bën kontrollin fillestar të ashensorit dhe atë periodik, për të vlerësuar nëse ashensori është në përputhje me rregullat teknike për të garantuar sigurinë e përdoruesve. Pas kryerjes së ekzaminimit fillestar personi përgjegjës ka detyrimin për regjistrimin e ashensorit pranë ISHMT-së.

Kontrollet për sigurinë e ashensorëve kanë qenë një ndër prioritetet e veprimtarisë së Inspektoriatit të Mbikëqyrjes së Tregut, ku vetëm për vitin 2021 janë kryer 336 inspektime, ndërkohë që numri i ashensorëve të regjistruar pranë ISHMT është 1429.

Gjithashtu, ISHMT ka informuar në mënyrë të vazhdueshme të gjitha grupet e interesit mbi detyrimet ligjore që duhet të përmbushen lidhur me sigurinë e ashensorëve.

ISHMT iu bën thirrje të gjithë personave përgjegjës të kryejnë procedurën e regjistrimit të ashensorëve pranë këtij institucioni, ashensorët e rinj që instalohen për herë të parë, por edhe ashensorët që janë në përdorim, në mënyrë që të garantohet që ashensorët në përdorim për të tretët apo publikun e gjerë të jetë në përputhje me kërkesat e sigurisë së produktit/instalimit të vënë në shërbim gjatë gjithë periudhës së tij të përdorimit.

../abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!