E cilësuan si hero, ndërsa për të kanë edhe një kompliment të madh. Jasir Asani po krahasohet në Korenë e Jugut me legjendën e sotme të kombëtares së atij vendi, Son Heung Ming.
Shqiptari, shënues I 9 golave në Ligën e Kampionëve të Azisë dhe 3 rrjetave në kampionatin korean, cilësohet tani si “Son Heung Mini I Kuangjusë”!
Kuangju është skuadra e tij e tanishme, me të cilën arriti deri në çerekfinale të Championsit aziatik.
Edhe pse nuk arriti të shënonte në përballjen kundër kampiones së Arabisë Saudite, Al Hilal, ndërsa premtoi dy rrjeta, duke thënë se ishte në 200 për qind të formës, kjo nuk ia ka ulur vlerën.
Sulmuesi I Totenhemit, Son, vazhdon të jetë një lojtar I shkëlqyer në Premier Ligën angleze, dhe këtë sezon ka realizuar për “gjelat” 7 gola e ka shërbyer 10 asiste në 28 ndeshje.
Në moshën 32-vjeçare ai është një ikonë dhe idhull I tifozëve koreanojugorë, ndërsa me kombëtaren ka 51 gola në 133 ndeshje.
Natyrisht, ky krahasim duhet t’i ketë pëlqyer shqiptarit nga Shkupi, I cili ka ndërtuar një karrierë shumë të mirë në Lindjen e Largme.
Nëse do të kishte shënuar qoftë edhe një herë ndaj Al Hilalit, ai do të kishte arritur në 10 gola në Championsin e Azisë, diçka që e kanë bërë vetëm dy lojtarë të huaj të ligës koreane përpara tij, Adriano I Seulit me 13, dhe Leonardo I Xheonbuk Hjundait me 10.
Ndërkaq, pritet të shihet sesi do të jetë e ardhmja e Asanit, ndërsa kontrata e tij në Kuangju përfundon në fund të vitit.
Besohet se do të ketë oferta për të, dhe klubi nuk do të dëshirojë ta humbasë me parametër zero./abcnews.al