Asambleja Kombëtare e Francës miratoi një amendament për taksimin e miliarderëve

schedule16:50 - 25 Tetor, 2024

schedule 16:50 - 25 Tetor, 2024

Asambleja Kombëtare e Francës miratoi këtë të premte një amendament për buxhetin “të shtrënguar” të shtetit për vitin 2025, i cili godet njerëzit më të pasur në vend duke vendosur një taksë për miliarderët.

Amendamenti i Zoukman, i propozuar nga deputetë të krahut të majtë nga partia Franca e pabindur dhe i frymëzuar nga ekonomisti francez Gabriel Zoukman, i cili mbron një taksë globale për miliarderët, parashikon një taksë prej 2% për qytetarët, prona e të cilëve tejkalon një miliard euro.

Taksa e propozuar, për të cilën deputetët e majtë thonë se mund të sjellë 13 miliardë euro shtesë të ardhura, është ende shumë larg zbatimit, pasi ndryshimet në planin e buxhetit të vitit 2025 do të duhet gjithashtu të miratohen nga Senati. Debati për buxhetin pritet të zgjasë deri në dhjetor.

Shkurtimet arrijnë në 60 miliardë lekë

Plani buxhetor i qeverisë për 2025, i shpallur në fillim të këtij muaji, synon të reduktojë deficitin e madh buxhetor me rritjen e taksave dhe shkurtimin e shpenzimeve prej 60 miliardë euro.

Projektbuxheti pritet të ketë një rrugë të vështirë në Kuvend nga partitë opozitare. Kryeministrit Michel Barnier mund t’i duhet të përdorë kompetenca të veçanta kushtetuese për të anashkaluar Parlamentin, megjithëse një veprim i tillë ka të ngjarë të shkaktojë një mocion mosbesimi kundër qeverisë së tij të brishtë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!