Ka nisur punimet Asambleja e Dytë SEPCA-S, nën presidencën e Policisë së Shtetit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, në fjalën e mbajtur në takimin rajonal të policive të Evropës Juglindore, e cilësoi këtë forum si platformën më gjithëpërfshirëse dhe funksionale të bashkëpunimit policor në rajon.
Fjala e Ilir Prodës
Fjala e hapjes e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, në cilësinë e Presidentit të radhës të SEPCA-s
Të nderuar kolegë, përfaqësues të Policive të vendeve të Evropës Juglindore,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, partnerë dhe miq,
Të nderuar pjesëmarrës,
Është një nder i veçantë për mua që, në cilësinë e Presidentit të radhës të SEPCA-s, të hap sot punimet e këtij takimi të rëndësishëm rajonal në qytetin e bukur të Vlorës. Jo pa qëllim kemi zgjedhur qytetin e Vlorës për të zhvilluar këtë takim. Vlora është një qytet shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, pasi në këtë qytet, në vitin 1912, Pavarësia e Shtetit Shqiptar mori jetë. Gjithashtu, po në këtë qytet është nënshkruar dekreti nga Qeveria e kohës për themelimin e Policisë Shqiptare.
Është kënaqësi e veçantë që, nën simbolikën që përfaqëson ky qytet, të mirëpresim sot miqtë dhe kolegët nga rajoni, duke qenë të vetëdijshëm se SEPCA mbetet platforma më gjithëpërfshirëse dhe më funksionale e bashkëpunimit policor në Ballkanin Juglindor.
Të nderuar pjesëmarrës,
Vlora nuk është thjesht një destinacion i bukur turistik i Adriatikut dhe Jonit. Ajo është një nga pikat më të rëndësishme të monitorimit të kufirit detar dhe një nga nyjet kryesore të bashkëpunimit operacional rajonal.
Takimi i sotëm në Vlorë është një mundësi e shkëlqyer për të reflektuar mbi rrugëtimin tonë, për të analizuar sfidat dhe për të projektuar të ardhmen e bashkëpunimit policor rajonal.
Gjatë viteve të fundit, SEPCA është shndërruar në një strukturë solide bashkëpunimi, ku vendet tona jo vetëm shkëmbejnë informacione, por ndërtojnë standarde të përbashkëta, zhvillojnë operacione të sinkronizuara dhe adresojnë sfida që kërkojnë përgjigje të koordinuara.
SEPCA është sot e besueshme, e orientuar drejt rezultateve dhe me ndikim real në rritjen e sigurisë së rajonit.
Nëpërmjet këtij forumi, policitë tona flasin me një gjuhë të përbashkët, mendojnë në mënyrë të sinkronizuar dhe veprojnë me objektiva të qarta të përbashkëta. Kjo është arsyeja pse sot SEPCA shihet si një partner serioz nga Bashkimi Evropian, nga agjencitë e specializuara, si dhe nga partnerët ndërkombëtarë që mbështesin përpjekjet tona për sigurinë dhe stabilitetin në Evropën Juglindore.
Si President i radhës i SEPCA-s, dua t’ju siguroj se Shqipëria mbetet plotësisht e përkushtuar që ky Forum të vazhdojë të jetë një model bashkëpunimi dhe një mekanizëm i besueshëm për sigurinë rajonale. Ndërsa i afrohemi momentit të dorëzimit të Presidencës te Bosnja dhe Hercegovina, jemi të bindur se Presidenca e tyre do të sjellë vazhdimësi, forcim të mëtejshëm të bashkëpunimit dhe rezultate konkrete për gjithë rajonin tonë. Besoj gjithashtu se kjo platformë do të ishte edhe më e plotë nëse, nën presidencën boshnjake, do të bëheshin hapa konkrete për të pranuar edhe Policinë e Kosovës në këtë platformë, çka do ta çonte më përpara bashkëpunimin tonë.
Gjej rastin t’ju falënderoj për kontributet, për angazhimin dhe për partneritetin e qëndrueshëm.
Falënderojmë në mënyrë të veçantë Ministrinë e Brendshme të Austrisë dhe z. Klaus Mits, që mundëson aktivitetet e SEPCA-s.
Uroj punime të frytshme dhe suksese në misionin tonë të përbashkët!

