Asambleja e OKB miraton rezolutën: Dënojmë aneksimin e territoreve të Ukrainës nga Rusia

schedule22:51 - 12 Tetor, 2022

schedule 22:51 - 12 Tetor, 2022

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së (UNGA) miratoi me shumicë dërrmuese një rezolutë të mërkurën që e cilëson aneksimin nga Rusia të katër zonave të Ukrainës është i paligjshëm dhe jo i vlefshëm.

Gjatë seancës speciale urgjente të asamblesë për Ukrainën, ambasadorja e SHBA-së në OKB Linda Thomas-Greenfield tha se votimi është i rëndësishëm jo vetëm për të ardhmen e Ukrainës dhe të ardhmen e Evropës, por për vetë themelet e këtij institucioni.

“Në fund të fundit, OKB-ja u ndërtua mbi një ide: se kurrë më një vend nuk do të lejohej të merrte me forcë territorin e tjetrit”, shtoi Thomas-Greenfield.

Diplomatja amerikane tha se rezoluta bën thirrje për paqe dhe de-përshkallëzim dhe e bën të qartë se OKB refuzon tentativat për aneksime të Rusisë.

“Pra, le të dërgojmë një mesazh të qartë sot: Këto Kombe të Bashkuara nuk do të tolerojnë përpjekjet për aneksimin e paligjshëm. Ne kurrë nuk do ta njohim atë. Këto Kombe të Bashkuara nuk do të tolerojnë marrjen me forcë të tokës së një fqinji. Ne do t’i rezistojmë. Këto Kombe të Bashkuara nuk do të tolerojë shkatërrimin e Kartës së OKB-së. Ne do ta mbrojmë atë”, i tha ajo asamblesë.

“Mesazhi ynë sot është i zëshëm dhe i qartë: Nuk ka rëndësi nëse ju, si komb, jeni i madh apo i vogël, i pasur apo i varfër, i vjetër apo i ri. Nëse jeni një shtet anëtar i OKB-së, kufijtë tuaj janë të tuajt dhe mbrohen nga e drejta ndërkombëtare. Ato nuk mund të rishkruhen nga askush tjetër me forcë”, shtoi Thomas-Greenfield. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!