Asambleja e KiE kundër djegies së mandateve

schedule13:03 - 26 Shkurt, 2019

schedule 13:03 - 26 Shkurt, 2019

 Bashkëraportuesit për monitorimin e Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, gjermani Andrej Hunko dhe irlandezi Joseph O’Reilly kanë shprehur shqetësim për heqjen dorë nga mandatet nga opozita parlamentare në Shqipëri.

“Në një shoqëri demokratike, parlamenti është qendra e debatit politik, dialogut dhe e vendimmarrjes. Deputetët e kanë vendin në parlament, nënvizohet në një deklaratë të dy raportuesve”. Duke përshendetur faktin se protestat e fundjavës u mbajtën në mënyrë paqësore, raportuesit sidoqoftë i bëjnë thirrje deputetëve të opozitës të rikonsiderojnë dorëheqjen, e t’i rikthehen punës në Kuvend.

Njëkohësisht raportuesit i bëjnë thirrje shumicës qeverisësë që t’i sigurojë opozitës hapësirën e duhur për të funksionuar e të angazhohet në një dialog të sinqertë e domethënës me opozitën mbi reformat kyçe dhe qeverisjen e vendit.

“Të dyja palët duhet të përdorin parlamentin për t’u angazhuar në mirëbesim në një dialog të tillë, për të kapërcyer ngërcin actual politik. Nëse kërkohet, ne jemi të gatshëm për të ndihmuar kolegët tanë nga të dyja palët në këtë përpjekje”, -përfundon deklarata e  bashkë-raportuesve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!