Ditën e sotme janë programuar të zhvilloheshin zgjedhjet për President të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe për Kominitetin Ekzekutiv, zgjedhje që janë të pazakontë për shkak se gjykata para disa ditësh e ka cilësuar të paligjshëm zhvillimin e këtij aktiviteti.
Asambleja nisi duke u kënduar “Himni e Flamurit”, ndërsa është mbajtur edhe një minutë heshtje për të gjithë sportistët e njohur që kanë humbur jetën kohët e fundit si Ramazan Rragami, Robet Jashari, Ylli Mihali, Arben Laze, Vladimir Ajazi, Ylli Tare, Remzi Bulku, Vladimir Grillo, Shefqet Caslli, Hamdi Zhegu, Mustafa Hysi, Kostandin Grillo, Spartak Elmazi dhe Ilir Haxhiu.
Asamblenë e drejton zv. presidenti i FSHF, Edvin Libohova, i cili mori fjalën vetëm për t’ia kaluar atë Armand Dukës.
“Duke kërkuar me qetësi atë që ka ndodhur gjatë këtyre ditëve, kam gjetur gjërat që duhet të zgjidhim dhe ajo është zhvillimi i futbollit.
Të lëmë mënjanë sulmet, mllefin dhe inatin e mbartur. Jam i qartë në atë që them, duhet të shohim para, pa u ndikuar nga tensionet artificiale të situatës së krijuar. Kaluam monopate, kreshta e kodrina por ato na kanë kalitur.
Duhet të mbyllim të kaluarën, siç i takon shtëpisë tonë ku gjithçka zgjidhet me dashuri e vëmendje, jo me gjyqe e penalitete që i përkasin një periudhe të kaluarës.
Duke reaguar në këtë situatë, ju kërkoj vetëm një gjë, bashkim, kontribut dhe dashuri për lojën përbashkët, futbolli ka nevojë për të gjithë ne.
Nuk do të reshtim së bashkëpunuari me shtetin për ta bindur që investimi nuk është thjesht një dëshirë, por një detyrë e të gjithë neve për të ardhmen e fëmijëve tanë.
Përpara disa ditësh ne paraqitën edhe planin për të ardhmen e futbollit, duke parashtruar edhe pikat dhe bazat kryesore të punës tonë, të cilat i lancuam para pak ditësh. Kam bindjen se me gjithë mbështetjen e të gjithë faktorëve dhe me mbështetjen speciale të FIFA dhe UEFA do ia dalim mbanë”, ka theksuar Duka.
Vlen të theksohet se Kandidati për president i FSHF-së, Dritan Shakohoxha, nuk është i pranishëm në Asamblenë që mbahet sot në institucionin e futbollit, pasi e cilëson të paligjshme zhvillimin e kësaj Asambleje për sa kohë që ka një vendim gjykate që nuk e lejon.
/f.a/abcnews.al