Sonte zhvillohet derbi i radhës midis Partizanit dhe Tiranës. Ekipi i Sormanit vjen si pritës, por kjo nuk ka asnjë vlerë pasi ndeshja e programuar për të nisur në orën 20:45 në “Air Albania”, do të zhvillohet pa praninë e tifozëve.
Pavarësisht kësaj, Policia e Shtetit i frikësohet grumbullimeve të dy tifozerive të zjarrta dhe ka dalë me një komunikatë zyrtare, aty ku bën të ditur masat që janë marrë dhe çfarë nuk lejohet.
“Policia e Tiranës, masa të shtuara për mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit midis ekipeve Tirana – Partizani, që do zhvillohet më datë 10.07.2020, në orën 20:45, në stadiumin Air Albania. Ndeshja Tirana – Partizani do të zhvillohet pa tifozeri, si masë parandaluese për përhapjen e infeksionit COVID-19.
Nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë janë marrë një sërë masash teknike dhe organizative në një zonë më të gjerë se perimetri i stadiumit, me qëllim sigurimin e rendit dhe të sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes së futbollit, duke synuar jo vetëm mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv, por dhe moslejimin e grumbullimit të tifozëve, si masë parandaluese për përhapjen e infeksionit COVID -19.
Në kuadër të këtyre masave të parashikuara, informojmë qytetarët e Tiranës se Policia do të monitorojë dhe do të mbajë nën kontroll protokollin e sigurisë anticovid në lokalet dhe ambientet ku do ketë prani të tifozëve që do të ndjekin ndeshjen. Policia e Tiranës apelon edhe njëherë për respektim me rigorozitet të protokolleve të sigurisë, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19“, lexohet në komunikatën e Policisë së Shtetit. /abcnews.al