“Kaos në Shqipëri!”, është titulli, ndërkohë që më poshtë vijon: “Futbolli në grevë kundër Qeverisë. 9 Presidentë nga 10 bojkotojnë kampionatin”. Edhe Tuttosport në Itali shkruan për situatën e futbollit në vendin tonë. Bojkotimi që i është bërë kampionatit të Kategorisë Superiore nga Liga Profesioniste e Futbollit ka kaluar kufijtë dhe në Itali tentojnë të informojnë mbi atë që ndodh në Shqipëri.
“Një bojkot total, ai që është duke u kryer nga Presidentët e Super Ligës shqiptare, ekuivalentja e Serie A italiane, të cilët kanë vendosur të mos fillojnë kampionatin në shenjë proteste kundër qeverisë që nuk ka aprovuar një ligj sporti, që të jetë në gjendje të kënaqë kërkesat e klubeve dhe mbi të gjitha, të mbajë premtimet e vetë qeverisë të cilat janë shprehur nga Kryeministri në marsin e vitit të shkuar”, shkruhet në fillim të artikullit të gazetës italiane.
Më pas një pasqyrë e asaj që ndodh dhe se çfarë kërkohet: “Gjithçka ka nisur pas arritjes historike të futbollit shqiptar, kualifikimin e parë dhe të vetëm në finalet e EURO 2016. Federata dhe klubet përpiluan një listë me kërkesa për modifikime në ligje me natyrë financiare dhe fiskale. Këto kërkesa i janë dërguar në rrugë zyrtare Këshillit të Ministrave dhe Parlamentit, por nuk kanë marrë kurrë një përgjigje.
LEXO EDHE: “Oponencë mediokre e ministrisë, varet vetëm nga ju”, Duka letër Edi Ramës
Ndër kërkesat e tyre kryesore janë miratimi i një ligji sponsorizimi, reduktimi i TVSH-së nga 20 në 6%, fshirja e gjobave nga detyrimet tatimore dhe zgjatja e përjashtimit nga tatim fitimi për lojtarët deri në 10 vite. Në marsin e vitit 2019, Kryeministri shqiptar Edi Rama, së bashku me ministrat më të rëndësishëm të qeverisë së tij, në një tryezë me Federatën dhe drejtuesit e klubeve premtuan që brenda 100 ditëve të gjithë kërkesat do të miratoheshin në Parlament, i cili përbëhet nga një mazhorancë socialiste dhe qeverisëse.
Por nga ai moment nuk ka ardhur asnjë përgjigje, deri në pikën që në fillim të muajit gusht 9 nga 10 presidentët e klubeve shqiptare (në fillim mungoi firma e Presidentit të Teutës, Edmond Hasanbelliu, që firmosi një ditë më vonë) të bojkotojnë fillimin e sezonit të ri.
Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, i cili është pjesë e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, ka shprehur keqardhjen e tij për bojkotin e kampionatit, por ka përsëritur se kërkesat e klubeve janë të drejta dhe janë çuar përpara për të ndihmuar zhvillimin e futbollit. Nuk është një rastësi që UEFA nuk ka ndikuar te Federata që, e mbështetur nga opinionin publik shqiptar, pret përgjigjen dhe reflektimin e qeverisë”, përfundon artikulli i gazetës italiane. /abcnews.al