Crystal Palace është kthyer në macen e zezë të Arsenalit. Ekipi i Mikel Artetës nuk ia doli të fitonte as mbrëmjen e kaluar ndaj këtij kundërshtari, duke i dhënë fund tre fitoreve radhazi në kampionat. Sfida e luajtur në Londër u mbyll në barazim pa gola dhe “Topçinjtë” humbën dy pikë.
Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta analizoi barazimin shtëpiak, duke u ndalur te mungesa e freskisë fizike, diçka që ndikoi që ekipi i tij të mos ishte brilant në pjesën e dytë. “Ishim të lodhur në 30 minutat e fundit, nuk kishim freski fizike dhe gabuam shumë në pasimin e fundit.
Duhet të krijojmë më shumë raste për gol, vetëm kështu mund t’i fitojmë ndeshjet. Do të më pëlqente shumë ta kishim fituar këtë sfidë, por lodhja ndikoi në momentin vendimtar të ndeshjes. U dhuruam shumë topa kundërshtarëve dhe ata u organizuan shumë mirë në mbrojtje.
Nuk i fajësoj djemtë e mi, ata u përpoqën deri në fund për të siguruar tre pikët, por ishte e pamjaftueshme për fat të keq“, përfundon trajneri spanjoll i ekipit londinez. /abcnews.al