Artan Mergjyshi është trajneri i ri i Laçit

schedule16:51 - 7 Gusht, 2018

schedule 16:51 - 7 Gusht, 2018

Laçi nuk qëndroi shumë kohë pa trajner. Pas largimit të Besnik Prengës, kurbinasit afruan një teknik të njohur nga kryeqyteti.

Kjo skuadër e gjeti drejtuesin e saj të ri.

Laçi emëroi në stol Artan Mergjyshin, i cili pritet të drejtojë kurbinasit gjatë sezonit të ri.

Ishte vetë Mergjyshi që e pohoi detyrën e tij për abc neës, në një komunikim telefonik, ndërsa do të zëvendësojë Besnik Prengën, trajnerin e ardhur nga Kroacia, dhe që e drejtoi Laçin në dy ture të Ligës së Europës, ndaj Anorthosisit të Famagustës dhe Moldes së Norvegjisë.

Mergjyshi, 50-vjeçar, ka qenë futbollist i disa skuadrave përpara sesa të niste karrierën në stol si ndihmës trajner tek Dinamo.

Më pas, ai u bë disa herë trajner i parë i Dinamos, si dhe punoi tek Kastrioti i Krujës, Besa e Kavajës, Apolonia e Fierit dhe Korabi i Peshkopisë.

Trajneri tiranas nuk ka kohë për të humbur dhe do të nisë menjëherë punën me kurbinasit, pasi fundjavën që vjen nis sezoni i ri i Superligës, ndërsa Laçi do të luajë edhe finalen e Superkupës së Shqipërisë ndaj Skënderbeut, si finalist i Kupës, edicionin e kaluar. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!