Artan Hoxha: Pse hesht prokuroria për vrasësin e penduar nga Elbasani?

schedule22:26 - 10 Dhjetor, 2019

schedule 22:26 - 10 Dhjetor, 2019

I ftuar në “Mbrëmje në Abc” me Mirela Milorin, gazetari investigativ Artan Hoxha u ndal edhe te një moment tjetër. Hoxha tha se nga ato që kemi parë nga puna e prokurorisë, kjo e fundit është akuzuar shpesh se është bërë palë me krimin.

Sipas Hoxhës, këtë gjë e ka theksuar edhe kryeministri Rama në datën 25 nëntor, ku njoftoi se me projektligjin e ashtuquajtur anti-KÇK “Kap çfarë të Kapim”, qeveria parashikonte ndryshime thelbësore sa i përket kontrollit dhe përgjimit të personave të dyshuar, si të përfshirë në akte kriminale apo terrorizëm.

Në shpjegimin e tij kryeministri, (në 25 nëntor) u ndal edhe në një rast konkret, ku gjykata bëri të mundur lirimin e një të akuzuari për krime të rënda. Sipas gazetarit  Artan Hoxha,  prokuroria po hesht për vrasësin e penduar që kishte treguar edhe format se si funksiononte krimi i organizuar në rastin që foli kryeministri.

“Ndodhemi përpara faktit që ne e kemi akuzuar prokurorinë duke parë çfarë ka bërë prokuroria. Pamë se si një prokuror përpara se të ndodhte tërmeti, sepse tërmeti na ka shfokusuar nga çdo ngjarje tjetër, pra një prokurori iu bë atentat, dhe u plagos bashkë me një eksponent të botës së krimit, dhe nuk e dimë çfarë është bërë me atë çështje. Një ditë përpara tërmetit, pra në datën 25 nëntor, Kryeministri i Shqipërisë ka dalë si një “show man” dhe ka shpjeguar ligjin e famshëm anti-KÇK, ku na tregoi se si do hartonte një ligj dhe një strukturë, e cila nuk do ta linte krimin të gjente “vrimë ku të futej”. Po atë ditë, kryeministri i vendit ka thënë një rast konkret.

Policia e shtetit dhe prokuroria kanë patur një person të penduar në mbrojtje, kanë marrë në mbrojtje dhe të gjithë familjen e tij.  Prokuroria dhe policia morën në mbrojtje familjen e personit, ky person është i akuzuar si vrasës me pagesë,  për vrasjen e babë e bir, Nezir dhe Gentjan Beqiri, në 15 gusht të vitit 2012, ndërsa këta të dy ndodheshin në arrest shtëpie, pra ishin në ruajtje nga policia.

Bëhet fjalë për konfliktin e famshëm në Elbasan, që nisi që nga viti 2005, pas ekzekutimit të Sokol Çapjas. Pastaj ishin të gjitha rastet, ku pjesëtarë të fisit Çapja po merrnin hak për atë që kishte ndodhur.

Por ku shkoi ajo histori?

Kryeministri tha:

Personi i cili, drejtonte apo ishte një nga njerëzit kryesor të strukturës që fajësohej për këtë ngjarje, shkoi me pranga dhe doli me duar në xhepa sepse pikërisht gjykatësi e liroi. Kjo ngjarje ndodhi 5 ditë përpara se të fliste kryeministri. Kryeministri e bëri të qartë kush ishte ky person.

Ky person, i cili është i arrestuar, Ervis Bardhi është në ruajtje, nën masa të rrepta sigurie, brenda institucioneve të burgjeve.

(ndërkohë i penduari që ndodhej në burg, që ishte kontaktuar nga prokuroria, përveç se ishte ekzekutor direkt në ngjarje, kishte treguar gjithë skemën, kishte treguar se kush ishin porositësit, si ishte bërë pagesa, pra kishte treguar edhe format se si funksiononte krimi i organizuar. Ky person ishte kapur disa muaj më vonë duke transportuar kanabisin e siguruar nga pagesa për punën e kryer)”, tha gazetari Hoxha./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!