Arrestimin e ish-ministrit Lefter Koka për inceneratorët, Artan Hoxha e shikon vetëm si hap të parë. Mbrëmjen e sotme në emisionin “LOG.” në “ABC” Hoxha i bëri thirje SPAK-ut që të shkojë pas gjurmëve dhe të godasë lart për të fituar besimin e publikut.
“Dy meraqet që kam unë. Pse SPAK nuk e bëri veprimin përpara zgjedhjeve? Sepse do të kishte vërtetë ndikim përpara zgjedhjeve. Prandaj opozita e bëri kauzë që SPAK të vepronte përpara zgjedhjeve. Pse nuk u bë 7 muaj përpara? SPAK nuk veproi përpara zgjedhjeve dhe e dyta, a do i shkojë deri në fund, sepse me kaq është e pamjaftueshme, është ta çosh “kokoshin në një thelë”. SPAK duhet të gjuajë lart, ky duhet të jetë objektivi që të fitojë besimin e publikut”.
Me lekët e inceneratorëve, Hoxha u shpreh se janë blerë fushata elektorale dhe media. “Në makro këto para kanë blerë mediat, partitë politike, fushatën elektorale. Kjo është skema më e thjeshtë që dëshmon si korrupsioni është në gjendje të tjetërsojë një shoqëri. Skemë më të trashë që mund të grabisësh paratë nuk kam parë” tha ai.
Gazetari investigativ deklaroi se inceneratorët kanë marrë fonde edhe nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural. “Inceneratorët kanë marrë fonde edhe nga AZHBR-ja për të bërë një serë brenda”.
Koka dhe funksionimi i skemës që zbuloi SPAK?
Ish- ministri i Mjedisit Lefter Koka është vendosur në pranga dhe janë shpallur në kërkim biznesmenët Klodian Zoto dhe Stela Gugallja për aferën e ndërtimit të inceneratorëve. Në njoftimin zyrtar të prokurorisë së posaçme bëhet me dije se, ndaj Kokës janë ngritur katër akuza, “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.
Biznesmeni Klodian Zoto që është pronari I kompanisë “Albtek Energy” që ka në zotërim inceneratorin e Elbasanit dhe Stela Gugallja që zotëron kompaninë “Integrated Technology Services” që ka ndërtuar inceneratorin, përmes një skeme fiktive kanë kaluar për llogari të ish-ministrit dy shuma monetare në këmbim të dhënies së licencës. Sipas prokurorisë, Zoto me kompaninë e tij ka kaluar për llogari të disa kompanive të ish-ministrit dhe familjarëve të tij shumën prej 2 milionë e 950 mijë euro, me pretendimin se janë paguar punime që në të vërtetë nuk janë kryer nga këto kompani.
Në të njëjtën formë edhe kompania në zotërim të Gugallës ka kaluar një shumë prej 735 mijë euro. Në total këta biznesmenë kanë paguar 3 milionë e 685 mijë euro shoqërive që dyshohet se janë në pronësi të ish ministrit Koka dhe familjarëve të tij. Prokuroria pretendon se tenderi për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit është përfituar në shkelje të ligjit.
Në procedurën e ndjekur për dhënien e koncensionit dhe lidhjen e kontratës me shoqërinë “Albtek Energy” është ndjekur procedura “me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit”, por ligji parashikon që për dhënien e koncensionit munden të përdoren vetëm një nga tre procedurat: A) procedura e hapur; B) procedura e kufizuar; ose procedura me negocim, me shpallje paraprake të njoftimit të kontratës. Për këtë, prokuroria bën përgjegjës ish-ministrin Koka si personi që ka organizuar tenderin dhe fitues është shpallur kompania në pronësi të Zotos.
Ndërkohë SPAK ka vendosur nën sekuestro inceneratorin e Elbasanit, kompaninë që e ka ndërtuar si dhe 88 përqind të aksioneve të kantinës së njohur të pijeve alkoolike Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pronësi të Lefter Kokës. Hetimi i SPAK ka nisur pas kallëzimit të PD dhe LSI.
/ Abcnews.al