Artan Hoxha dhe Lefter Alla në SPAK, për çfarë u kujdesën prokurorët gjatë deponimit?

schedule22:00 - 23 Janar, 2020

schedule 22:00 - 23 Janar, 2020

Tentoi të largohej pa dhënë asnjë shpjegim për drogën e konsumuar, video e të cilit u shfaq të mërkurën në ABC News.

Doli nga dera e pasme e SPAK, ku u mor në pyetje për rreth 1 orë e 30 minuta.

Si rrallë herë u paraqit para prokurorëve dhe në publik pa syzet optike, pavarësisht se gjatë gjithë fushatës elektorale të partisë socialiste identifikohej me to, ashtu si dhe në video skandalin.

Por ky kamuflazh, vështirë se mund ti shërbejë si alibi për të rrëzuar autenticitetin e materialit filmik ku ai shfaqet duke konsumuar lëndë narkotike.

Burime te ABC News brenda trupës së prokurorëve konfirmojnë se kryebashkiaku Lefter Alla, ka mohuar të jetë ai personazhi i shfaqur në video. Madje të njëjtin qëndrim mbajti publikisht edhe avokati i tij Petrit Ismaili.

Mbi hetimin e nisur nga SPAK për kryebashkiakun e Bulqizës është përfshirë dhe gazetari Artan  Hoxha i cili zbuloi dhe publikoi këtë video. Ai dëshmoi për rreth 1 orë 40 minuta në ambientet e organit të akuzës.

Hoxha dhe Alla zgjodhën hyrje të ndryshme për të deponuar, ndërsa prokurorët ishin kujdesur që ata të mos ndesheshin në korridoret e institucionit.

Gazetari investigativ dorëzoi materialin filmik që publikoi të mërkurën në televizionin ABC News. Sipas videos qytetari i parë i Bulqizës konsumonte lëndë narkotike, në një ambient publik. Gazetari Hoxha theksoi se nuk kishte lidhje me Salianjin apo me çështjen Babale.

Pas publikimit të videos, moralisht kreu i bashkisë nuk duhet të qëndrojë më në atë detyre”, thotë Hoxha ndërsa i bën thirrje SPAK të zbardhë deri në fund këtë fenomen i cili është shqetësues./abcnews.al