Artan Djala nuk përmbahet: Korrupsion i gjallë, qeveria ka detyrime

schedule11:40 - 2 Maj, 2020

schedule 11:40 - 2 Maj, 2020

Pandemia e COVID-19 ka dëmtuar edhe futbollin, që për momentin është ndalur. Klubet e vogla janë ato që e vuajnë më shumë, pasi edhe pagat që jepen janë jetike për futbollistët, që nuk bëjnë ndonjë punë tjetër në përgjithësi. Normalisht kësaj krize nuk i ka shpëtuar as Shënkolli dhe presidenti Artan Djala nuk është kursyer në një deklaratë të dhënë. Ai e ka me kryebashkiakun Pjerin Ndreu.

“Shënkolli është skuadër që financohet 100% nga ne sponsorët, unë, Kristian Gjidoda dhe Albert Rustja. Ndonëse jemi në territorin e Bashkisë Lezhë, pushteti vendor as që mendon fare për ne. Që kur bashkia ka rënë në dorë të ‘Pukës’, territori i Lezhës është fshirë nga harta e saj.

Nuk na është dhënë asnjë ndihmë, të gjitha i kemi bërë vetë. Të gjitha fondet e sportit të ndara nga buxheti i këtij viti i janë alokuar shumësportëshit, por përveç futbollit, sot me siglën e Besëlidhjes dhe Shënkollit nuk ka asnjë sport tjetër në aktivitet. Është korrupsion i gjallë”, thotë mes të tjerash Djala për “Panorama Sport”.

Ai tregon më tej se ish-kryebashkiaku, Fran Frroku, i ka ndihmuar më parë, ndërkohë që nuk mungojnë kunjat për Ndreun. “Nuk e di nëse këto fonde shkojnë në emër të sportit apo do t’i akordohen Pukës. Në emër edhe të aksionerëve të tjerë që financojnë Shënkollin, falënderoj presidentin e FSHF-së, Armand Duka, i cili po mendon për ne, duke dhënë një pagë për futbollistët.

Kjo është një ndihmë e madhe. Qeveria ka shumë detyrime ndaj taksapaguesve të saj, por po e përdor për propagandë situatën, në terren nuk shihet asgjë. Për këtë qeveri futbolli është gjëja më e fundit që mund t’i bjerë ndërmend dhe ne tani presim se kur do të lirohet situata, që të nisim stërvitjen. Nga qeveria dhe bashkia kërkojmë atë që na takon, por e shohim se gjithçka po rrokulliset dhe nuk e dimë ku do të përfundojmë”, përfundon Djala. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!