Arta Marku nga Shkodra: Politika ka ndërhyrë në punët tona

schedule11:40 - 13 Mars, 2019

schedule 11:40 - 13 Mars, 2019

Kryeprokurorja Arta Marku është solidarizuar me prokurorët duke u afruar atyre mbështetjen institucionale dhe personale për t’u mbrojtur nga ndërhyrjet e politikës. Marku i bëri deklaratat nga Shkodra gjatë analizës vjetore të prokurorisë.

Nga Shkodra, kryeprokurorja Arta Marku tha se politika ka ndërhyrë në punën e prokurorëve, duke e gjykuar atë sipas interesave të saj. Ajo tha se të njëjtën gjë ka bërë dhe media dhe opinioni publik.

Viti që shkoi nuk ka qenë jo i lehtë, pasi për shumë prej jush ka filluar procesi i Vettingut. Shpesh herë jeni ndjerë të pasigurt dhe kjo ka ndikuar në punën tuaj dhe keni qenë të pamotivuar. Përveç kësaj, në qendër të çdo konflikti apo debati politik u është referuar ju.  Politika i ka dhënë vetes të drejtë që të gjykojë çdo çështje që mund të ketë prekur interesat e saj, pa patur dëshirë dhe vullnet për të pritur, për të lejuar prokurorët të bëjnë punën e tyre. Duke marrë shkas nga përfolja që politika i ka bërë prokurorisë, të njëjtën gjë ka bërë edhe opinionin publik edhe media”, është shprehur ajo.

Më tej, Marku u kërkoi prokurorëve ta ushtrojnë funksionin e tyre të pa ndikuar, duke i garantuar se do të kenë mbështetjen e saj institucionale dhe personale.

“Pavarësi do të thotë ushtrimi i funksionit të pavarur nga çdo ndërhyrje e brendshme apo e jashtme. Keni mundësinë që të pandikuar nga askush të jepni më të mirën në çdo vendimmarrje.Do të kërkoja prej jush që të mos e shikoni procesin e Vettingut si një ndëshkim, por si një mundësi për rikthimin e dinjiteti. Vazhdoni të punoni dhe keni gjithë mbështetjen time institucionale dhe personale”, tha Marku.

Këto deklarata kryeprokurorja Arta Marku i bëri në analizën vjetore me prokurorinë e Shkodrës, gjatë së cilës u fol për arritjet dhe detyrat e organit të akuzës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!