Arta Cika, një histori suksesi në Angli

schedule09:46 - 4 Dhjetor, 2019

schedule 09:46 - 4 Dhjetor, 2019

Një shqiptare është përzgjedhur mes 100 grave që kanë marrë çmimin e rëndësishëm TechWoman në Angli. Arta Cika është nga Kukësi dhe aty ka kaluar pjesën e fëmijërisë së saj dhe këtë gjë e rikujton gjatë postimit emocionues që postoi në profilin e saj në instagram.

Por cila është Arta Cika?

Ajo është Ph.D kadidate ne departamentin e shkencës së inxhinierisë po në këtë universitet.

Hulumtimi i saj përqendrohet në modelimin dhe analizimin e rrjeteve ad hoc, një lloj i veçantë i rrjetit të decentralizuar pa infrastrukturë para-ekzistuese.

Arta ka marrë dy diploma Masteri Shkencor në Inxhinieri Informacioni dhe Inxhinieri Kompjuterike nga Politekniku i Torinos dhe Telecom ParisTech në 2015-ën.

Para fillimit të doktoratës së saj, ajo punoi për një kompani telekomunikacioni në Francë. Arta është fituesja e burses IRCN dhënë nga Universiteti i Tokios.

Në vitin 2019, ajo u përzgjodh për të marrë pjesë në Shkollën Verore të Sisteme Komplekse (CSSS) në Institutin Santa Fe, NM, SH.B.A.

Përveç arritjeve të saj akademike, Arta është thellësisht e përfshirë në promovimin e grave në STEM. Ajo është anëtare e komitetit ne shoqatën e grave në fushen e inxhinierisë në Universitetin e Oksfordit dhe pjesë e Programit RisingWISE (Gratë në Shkencë dhe Inxhinieri).

Ajo ka një rol drejtues në Women in Engineering Society në Universitetin e Oxfordit ku aty organizojnë shumë evente në Oxford dhe qytetet rreth e rrotull për të promovuar gratë.

Ajo së fundmi është përzgjedhur në 100 gratë e “TechWoman100” në Angli.

Pasi është vlerësuar me këtë çmim, ajo ka vendosur t’ia dedikojë të prekurve nga tërmeti në Shqipëri, duke bërë një status emocionues:

“Ndjehem shumë e vlerësuar dhe krenare që jam zgjedhur si një nga 100 fitueset e çmimit ‘Tech Women100’ për vitin 2019 ne Mbretërinë e Bashkuar (UK).

Dua të falënderoj nga zemra Jurinë Teknike që më zgjodhi, të gjithë publikun në mbarë botën e veçanërisht atë shqiptar që më votuan. Jam shumë e lumtur për të gjitha mesazhet, vlerësimet dhe mbështetjen që më keni dhënë këto javë.

Kujtimet e mia shkojnë mbrapa tek fëmijëria ime, kur isha një vajzë e vogël që i pëlqente të luante futboll ne rrugët e Kukësit po me ëndrra të mëdha. Do doja shumë të kthehesha mbrapa në kohë, të takoja atë vajzë luftarake dhe t’i thoja që ‘Vazhdo ëndërro fort. Asgjë nuk do të të ndalojë që të arrish synimet e tua.’

Dhe ky është një mesazh që dua tua them të gjithë vajzave të vogla në mbarë botën. Mos e konsideroni inxhinierinë si një ‘profesion burrash’, dhe mos kini frike nga e panjohura. Puna gjithnjë shpërblehet.

Falë punës time 10 vjeçare dhe mbështetjes së madhe nga familja ime, që ka qenë gjithmonë krahu im i djathtë, jam sot këtu e kjo me jep forcë për të vazhduar përpara. Pa mbështetjen e tyre, asgjë nuk do të kishte qenë e mundur.

Ne fund, do doja t’ia dedikoja këtë çmim vendit tim të dashur, Shqipërisë, ku linda u rrita e mora dijet e para dhe të gjithë njerëzve në veçanti atyre të prekur nga tërmeti. Siç thotë edhe shprehja: ‘Supet e maleve dhe supet e shqiptareve nuk janë kërrusur kurrë’. Vazhdoni të qëndroni të palëkundur. Jam pranë jush. Jemi të gjithë shqiptarët bashkë anembanë botës. Kjo na jep forcë e na bën krenarë. Faleminderit të gjithëve.”- ka shkruar ajo./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!