Shumica e njerëzve e shohin zërin e tyre të pakëndshëm dhe nuk u pëlqen ta dëgjojnë veten në ndonjë regjistrim. Pyetja është pse ndodh kjo? Përgjigja për këtë pyetje vjen nga fakti se ne zakonisht dëgjojmë zërin tonë ndërsa flasim.
Në këtë proces, ne marrim tingullin e transmetuar nga jashtë, domethënë përmes rrjedhës së ajrit, dhe zërin që transmetohet nga brenda – përmes kockave. Rrjedha e tingullit nga kockat rezulton në frekuenca të pasura të ulëta që nuk përmbahen në tingullin që vjen përmes ajrit.
Kur dëgjojmë zërin tonë të regjistruar, pa ato frekuenca, na tingëllon më i lartë dhe ndryshe. Në thelb, arsyeja pse nuk na pëlqen zëri ynë i regjistruar është fakti se nuk tingëllon ashtu siç e presim. Psikologia nga Universiteti i Essex, Silke Paulman thotë se ky fakt krijon neveri tek ne ndaj zërit tonë.
Kjo për shkak të hendekut që ndodh midis asaj që dëgjojmë dhe pritjeve tona të brendshme. Ajo është e mendimit se zëri ynë luan një rol të madh në formimin e identitetit dhe për këtë arsye secili prej nesh ndihet keq kur kupton se zëri i tij nuk është ai që e imagjinon. /abcnews.al