Eksperti i punësimit Erion Muça theksoi rëndësinë e orientimit të të rinjve drejt arsimit profesional, duke vënë në dukje se ky sektor po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje dhe interes.
Sipas tij, nxënësit duhet të përfitojnë praktikë cilësore, e cila të lidhet ngushtë me nevojat reale të tregut të punës.
Ai sugjeroi që shkollat profesionale duhet të kenë kritere pranimi, në mënyrë që të përzgjidhen nxënës që kanë dëshirë, aftësi dhe përkushtim për profesionet që zgjedhin. Kjo do të ndihmojë në rritjen e cilësisë së kuadrove që dalin nga këto institucione.
Muça nënvizoi gjithashtu nevojën për sisteme menaxhimi efektive, që të garantojnë që rritja e numrit të nxënësve të përkthehet në cilësi më të lartë të rezultateve.
Një tjetër pikë e rëndësishme që ngriti eksperti ishte bashkëpunimi midis bizneseve dhe shkollave profesionale.
Sipas tij, bizneset duhet të angazhohen më shumë në procesin arsimor duke ofruar praktika profesionale dhe kontrata pune për nxënësit, në mënyrë që teoria e marrë në shkollë të shndërrohet në përvojë reale në vendin e punës.
“Të rinjtë po orientohen drejt profesioneve. Nxënësit duhet të kenë praktikë cilësore, Këto shkolla duhet të kenë kritere pranimi, pasi në një mënyrë apo tjetër, filtron prurjet. Nxënësit të seleksionohen mbi bazën e dëshirës, aftësive dhe përkushtimit që kanë. Popullimi i këtyre shkollave kërkon sisteme menaxhimi, te cilat do ta përkthenin rritjen e numrit në produkt cilësor në përfundime përfundim të studimeve. Një pjesë e shkollave nxjerrin zanatçinj të zotë. Duhet të rritet numri i bizneseve, që të bashkëpunojnë me shkollat dhe tu krijojnë nxënësve kontrata pune. Të ketë një praktikë të kombinuar çfarë merr në shkollë ta përkthejnë në praktikën te biznesi.”, tha ai.

