Arsenal vulos kualifikimin/ “Topçinjtë” e Londrës fituan 7-1 në fushën e PSV Eindhoven

schedule12:53 - 5 Mars, 2025

schedule 12:53 - 5 Mars, 2025

Arsenal ka siguruar përpara kohe kualifikimin për në çerekfinalet e Champions. Vetëm në rast të një surprize të paimagjinueshme në sfidën e kthimit, “Topçinjtë” e kanë vulosur biletën për në raundin tjetër me fitoren 7-1 në transfertën kundër PSV Eindhoven.

Ndeshja e parë në 1/8 e Ligës së Kampioneve ishte si një stërvitje për londinezët, që në 31 minutat e para gjetën tre herë rrugën e rrjetës.

Në fillim Timbert, më pas Nuaner dhe Migel Merino e vranë garën shumë shpejt. Vetëm në fundin e pjesës së parë, Lang me 11 metërsh ktheu në lojë të zotët e shtëpisë.

Por shpresat e tyre u shuan përfundimisht pas pushimit. Në vetëm një minutë, Odegard dhe Trosard shënuan dy gola të tjerë që e thelluan në 5-1 diferencën për Arsenal.

Skuadra e drejtuar nga Arteta plotësoi goleadën me rrjetën e dytë personale të Odegard dhe me Kalafiori pesë minuta nga fundi I kohës së rregullt. Me ëtë fitore, londinezët presin si të kualifikuar ndeshjen e kthimit që do të luajnë në shtëpi.

I njëjti diskutim vlen dhe për skuadrën tjetër të Premier Ligë, Aston Vila, që kaloi 3-1 ndeshjen e vajtjes në fushën e Klub Bryzh. Bejli në minutën e tretë kaloi në epërsi anglezët, por vendasit barazuan shifrat në pjesën e parë me De Kujper.

Në fundin e ndeshjes erdhën dy golat e fitores për Aston Vila. Në të 82-ën, autogoli i Meshele ktheu në epërsi anglezët, ndërsa në limitet e kohës së rregullt, Asensio me 11-metërsh vulosi fitoren dhe ndoshta kualifikimin e formacionit nga Birmingham në çerekfinalet e Champions.

Gjithçka e hapur mbetet në përballjen tjetër mes Borusia Dortmund dhe Lilës. Sfida e parë në “Signal Iduna Park” u mbyll në barazim 1-1.

Adejemi kaloi në epërsi vendasit në minutën e 22-të, por pas pushimit Haraldson barazoi shifrat, ndërsa kulifikimi do të vendoset në ndeshjen e kthimit që francezët do ta luajnë në shtëpinë e tyre./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!