Kur duhen edhe pak javë që të hapet zyrtarisht edhe merkato e verës, shumë skuadra tashmë kanë filluar nga puna për të pikasur lojtarët që kërkojnë t’i bëjnë pjesë të tyre.
Zërat para një merkato të tillë janë të shumë, edhe për lojtarë që janë nën kontrata me skuadrat e tyre, sigurisht diskutohet edhe për paraqitje e futbollistëve, dhe një ndër to është edhe Dushan Vlahovic, i cili gjatë merkatos së verës u transferua nga Fiorentina te skuadra e Juventusit.
Një nga transferimet e bujshme të janarit, për të cilin pritej shumë, por duket se prej javësh serbi ka një ngërç, teksa nuk po arrin të takohet me golin.
Për kritikat që po bëhen në drejtim të Vlahovic ka folur edhe administratori i Juves, Maurizio Arrivabene, i cili ndër të tjera ka theksuar se gjatë merkatos së verës nuk do të ketë investime të mëdha.
“Vlahovic është një lojtar që nuk diskutohet. Mbaj mend që edhe Ibrahimovic kritikohej gjatë vitit të tij të parë te Juventusi dhe më pas shpërtheu. Duhet ti japim besim lojtarit dhe ta lëmë që të rritet në qetësi. Kur luan në një skuadër të madhe duhet kohë për tu përshtatur, për të treguar më pas se sa vlen.
Do të jetë një merkato e veçantë. Nuk besoj se do të ketë goditje të bujshme, sepse jemi në prag të Kupës së Botës. Me shumë mundësi do të jetë më e rëndësishme merkato e janarit.
Në çdo rast nuk do të bëjmë goditje të mëdha. Synojmë që të bëjmë investime të qëndrueshme për të përforcuar skuadrën”, ka thënë Arrivabene. /f.a/abcnews.al